Plot 43 vite më parë, duke u gdhirë 18 dhjetori i vitit 1981, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu, i cili e mbante atë funksion që nga viti 1953, u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit (sipas versionit zyrtar, nga plumb “a” pistolete), në vilën ku banonte së bashku me familjen e tij, në hyrje të “Bllokut” të udhëheqjes së lartë të PPSH-së, fare pak metra nga godina e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe gjithashtu vilës 31 të Enver Hoxhës.
Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër dekada nga ajo ditë, e konsideruar si një nga ngjarjet më të rënda dhe të bujshme gjithashtu të atij regjimi, ende dhe sot, nuk ka një version të qartë e të saktë, rreth asaj që ka ndodhur me ish-kryeministrin shqiptar, Mehmet Shehu, në mesnatën duke u gdhirë 18 dhjetori 1981! Por, edhe pse pas viteve ’90-të, janë bërë publike me dhjetëra dëshmi dhe dokumenta arkivore, lidhur me atë ngjarje, “vrasja apo vetëvrasja e Mehmet Shehut”, vazhdon të jetë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta, madje duke e mbështjellë edhe më shumë me mister, të vërtetën rreth saj!
Nisur edhe nga ky fakt, në kuadrin e publikimit të dhjetëra dëshmive dhe dosjeve me dokumente arkivore nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, që kemi botuar në këto tre dekada pas shembjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, gazeta ka siguruar dosjen voluminoze “të armikut dhe poli-agjentit Mehmet Shehu”, e cila është nxjerrë nga fondi sekret i ish-Sigurimit të Shtetit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (tashmë e de-klasifikuar dhe pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), ku me ndonjë përjashtim të vogël, pjesa më e madhe e tyre, nuk e ka parë kurrë dritën e botimit dhe publikohen për herë të parë e të plota, me faksimilet përkatëse.
Në dosjen në fjalë, përveç dëshmive në hetuesi të dëshmitarëve apo të pandehurve, gjenden të plota dhe akt-ekspertiza e grupit operativo-hetimor që u ngrit menjëherë që paraditen e 18 dhjetorit 1981, me në krye Koço Josifin, (kryetar i Hetuesisë së Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës), mjekët-ligjorë Dr. Fatos Hartito dhe Docent Bashkim Çuberi, mjekët e kryeministrit, Milto Kostaqi dhe Llesh Rroku, ekspertin kriminalist të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Brendshme, Estref Myftari, të asistuar nga funksionarët e lartë të asaj ministrie, zv/ministri Xhule Çiraku, kryetari i Drejtorisë së Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Elham Gjika, zv/drejtori i Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, Lahedin Bardhi.
Në këtë dosje, ndodhen edhe dëshmitë e familjarëve të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, personelit të shërbimit, grupit të tij të shoqërimit dhe të gjitha personave të tjerë, që u thirrën dhe deponuan rreth asaj ngjarje e, deri korrespodenca me letra të Mehmet Shehut dhe Fiqretes (shkruara me dorën e tyre), për djemtë, Bashkimin dhe Skënderin, deri në ditët e para të dhjetorit 1981.
Por, edhe pse kemi të bëjmë me dokumente arkivore, duhet theksuar se; duke e ditur se si ka funksionuar regjimi komunist i para viteve ’90-të, kurrsesi nuk mund të pretendojmë për vërtetësinë absolute rreth atyre çka shkruhet aty, pasi jo vetëm nga dëshmitarët dhe personat e pandehur, që kanë dhënë dëshmitë e tyre, por edhe nga disa prej hetuesve të kësaj çështje, (kryesisht pas viteve ’90-të), është bërë e ditur se ato janë marrë në trysni, presion, intimidim dhe tortura e dhunë fizike e psikologjike, madje duke shkuar më tej, ku disa prej hetuesve, i kanë shkruar vetë ato dhe dëshmitarët apo të pandehurit, vetëm sa kanë hedhur firmën aty.
Madje për disa prej të pandehurve të këtij procesi hetimor, konkretisht në rastin e Fiqret Shehut, pyetjet janë hartuar nga vetë Enver Hoxha personalisht (me shkrimin e tij) dhe u janë dërguar hetuesve, nëpërmjet ministrit të Brendshëm, Hekuran Isai (të cilat i kemi bërë publike me faksimilet përkatëse në shkrime të kaluara) dhe të gjitha këto, për të bërë të mundur “zbulimin e grupit armiqësor të poli-agjentit Mehmet Shehu”, me qëllim për të justifikuar vetëvrasjen e tij (sipas variantit zyrtar)!
Në këtë kontekst të paranojës së diktatorit Enver Hoxha, u arrestuan dhe u vunë në bankon e të akuzuarit; Kadri Hazbiu (ish-anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe ministri Brendshëm e i Mbrojtjes), Feçor Shehu (ish-Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe ministër i Brendshëm), Nesi Nase (ish-ministër i Punëve të Jashtme), Llambi Ziçishti (ish-ministër i Shëndetësisë), Llambi Peçini (ish-kryetar i Degës së Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSH-së), Elham Gjika (ish-kryetar i Hetuesisë së Ministrisë së Punëve të Brendshme), Gani Kodra (ish-kryetar i Degës së Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike të udhëheqjes së lartë të PPSH-së dhe familjes së Mehmet Shehut), Kristofor Martiro (ish-hetues i “grupit armiqësorë të Beqir Ballukut”), Ali Çeno (ish-përgjegjës i grupit të shoqërimit të kryeministrit Mehmet Shehu), Xhavit Ismailaga (ish-berber i Hotel “Dajti”), Idriz Seiti (ish-kolonel i Sigurimit të Shtetit, kryetar në Degët e Punëve të Brendshme në Kukës e Lezhë dhe kryetar dege në Ministrinë e Brendshme, për ruajtjen, sigurimin dhe ekzekutimin e personave antiparti), Lirim Pëllumbi (ish-kryetar i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Durrësit), Qamil Mane Islami (ish-kolonel në Drejtorinë e Kampeve dhe Burgjeve pranë Ministrisë së Brendshme), Duro Shehu (vëllai i Mehmet Shehut, ish-komisar në drejtorinë e Aviacionit Luftarak të Ministrisë së Mbrojtjes), Fiqret Shehu, bashkëshortja e Mehmet Shehut, me dy djemtë e tyre, Bashkimin dhe Skënderin, etj., etj.
Nga ky “grup armiqësor”, katër të parët (Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Ziçishti dhe Llambi Peçini), u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan, kurse të tjerët u dënuan me burgime të rënda, nga ku u liruan vetëm në vitin 1991, me përjashtim të Fiqret Shehut, e cila vdiq në burg në vitin 1987, në rrethana misterioze dhe ende të pazbardhura, si dhe djalit të madh të familjes Shehu, Vladimirit, që gjithashtu vdiq në rrethana misterioze ende të pazbardhura, në qytetin e Gramshit, (varianti zyrtar; vetëvrasje), ku ishte internuar me familjen e tij, në janarin e vitit 1982. Për më shumë rreth gjithë këtyre ngjarjeve, etj., na njohin dokumentet në fjalë, të cilat po i publikojmë së bashku me faksimilet dhe fotot përkatëse.
AUTOKRITIKA E MINISTRIT TË PUNËVE TË BRENDSHME, FEÇOR SHEHU, DËRGUAR KOMITETIT QENDROR TË PPSH, LIDHUR ME KRITIKËN QË I KISHTE BËRË ENVER HOXHA, LIDHUR FAJET E TIJ PËR FEJESËN E SKËNDER SHEHUT ME SILVA TURDIUN
KOMITETIT QENDROR TË PPSH
T I R A N Ë
I ndërgjegjshëm për kritikën shumë të drejtë që më bëri shoku Enver, lidhur me gabimin tim për fejesën e Skënder Shehut me Silva Turdiun, në mbledhjen e organizatës bazë të Partisë, më datën 17.11.1981, bëra autokritikë që ajo të gjykonte mbi këtë gabim.
E quajta të arsyeshme që autokritikën e bërë në organizatën bazë të Partisë, t’ia paraqes edhe Komitetit Qendror të Partisë, në vazhdim të autokritikës së bërë më parë (te shoku Ramiz Alia dhe shoku Kadri Hazbiu).
Për ta bërë më të qartë problemin, në organizatën bazë të Partisë, shtrova shkurt rrethanat e ngjarjes, gabimin tim dhe shkaqet e tija, ndërhyrjen e drejtë dhe të menjëhershme të shokut Enver, për ta korrigjuar fajin e bërë në këtë fejesë, si dhe kritikën që kisha për shokët Mehmet, Fiqret dhe Skënder Shehu.
Në muajin korrik të këtij viti, shoku Mehmet Shehu më ngarkoi që t’i jepja të dhënë biografike për Silva Turdiun (volejbolliste në Klubin “Dinamo”), duke porositur që për këtë punë, të mos ngarkoja njeri tjetër, por ta plotësoja unë vetë.
Sipas porosisë që m’u dha, unë mora nga Dega e 8-të e Drejtorisë së Parë dhe nga Dega e 4-t, dosjen (e arkivuar) të Qazim Turdiut. Mbi bazën e studimit të këtyre dokumenteve, përpilova biografinë e Silva Turdiut, të cilën, sipas urdhrit që më ishte dhënë, ia dërgova shokut Mehmet Shehu, në afatin e caktuar, duke nënvizuar se; “këto të dhëna i mora në dosjen e Qazim Turdiut, që ndodhet (e arkivuar) në ministri dhe nga sektori që ka në drejtim, Klubin “Dinamo”, pra mund të mos jenë të plota”!
Gjatë leximit të kësaj biografie nga shoku Mehmet, shoqja Fiqret, që ishte prezent, më bëri dy pyetje dhe konkretisht:
a. Meqenëse ke punuar në Shkodër, duhet ta dish se çfarë lidhje fisnore ka nëna e Silvës me Arshi Pipën dhe
b. Po me Mitat Aranitasin, si lidhen këta (familja e Silva Turdiut).
Për të dy këto pyetje, të cilat flasin qartë, se shoqja Fiqret, dinte hollësi rreth biografisë së kësaj familje, unë iu përgjigja: në dosjen e Qazim Turdiut, për këta dy persona, nuk flitet gjë. Arshi Pipën dhe Mitat Aranitasin, unë i di që janë armiq, këtë të fundit, që është edhe nga Mallakastra, e njeh më mirë se unë, vetë shoku Mehmet, por se si lidhen me këtë familje, nuk di gjë, prandaj duhet hetuar.
-Në të dhënat biografike me shkrim që i dorëzova shokut Mehmet, me sa më kujtohet, jam i sigurt se, ndër të tjera, kam nënvizuar:
Qazim Turdiu është shtresë e pasur, – patriarkale, aktualisht profesor në Universitet, në vitin 1980, për punë të mirë, është dekoruar.
Ai ka dy vëllezër të arratisur jashtë shtetit, një në Amerikë dhe tjetrin në Jugosllavi.
Ay i Amerikës, gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, ka qenë pjesëtar aktiv në rininë e Ballit Kombëtar dhe, për t’i shpëtuar dënimit, në prag të Çlirimit u arratis dhe aktualisht zhvillon veprimtari armiqësore kundra nesh. Bile organet tona kanë marrë dy letra nga Qazim Turdiu, (siç veprohet edhe me të tjerë), me qëllim që të ndikonim, që i vëllai të ndërpresë aktivitetin armiqësor, por ay edhe pas kësaj, s’ka hequr dorë.
Vëllai tjetër, që është arratisur në Jugosllavi, qe dërguar atje për studime dhe me prishjen e marrëdhënieve, në vitin 1948, nuk u kthye, por ngeli atje (u arratis). Aktualisht është mjek, ndonjë aktivitet nuk dihet.
Për këto të dhëna dhe arsye, Qazim Turdiu është marrë në kontroll nga Sigurimi i Shtetit, 2-3 herë, por, pse nuk ka dalë gjë, dosja e tij, sipas rregullit, është arkivuar.
Vajza (Silva Turdiu), është student në Universitet dhe volejbolliste në Klubin “Dinamo”, me sjellje dhe qëndrim të mirë.
Duke lexuar biografinë, shoku Mehmet më bëri një pyetje: Po të ishte ti, d.m.th., sikur djali yt, të donte këtë vajzë, si do veproje?
Unë i dhashë përgjigjen: “Vajza është e mirë, por siç e shikoni, biografia e të atit, është shumë e keqe, prandaj do vija në Parti dhe do veproja, si të më thoshte Partia”.
Në këtë moment, pa asnjë diskutim tjetër, shoku Mehmet më tha: “Ti mos u merr më me këtë çështje, bile as mos e bisedo me njeri, se ky është vetëm një mendim; djali dhe vajza, s’kanë bërë asnjë hap, do ta gjykojë unë (Mehmeti) dhe Fiqreti”.
Konkluzioni është se të dhënat biografike që iu dhanë shokut Mehmet, qenë të mjafta për të mos lejuar fejesën e Skënderit, (djalit të tij) me këtë vajzë. Çështjet që ngriti Fiqreti, po të donin, mund t’i hetonim, por shoku Mehmet ndaloi veprimin e mëtejshme nga ana jonë, rreth këtij problemi.
Qysh nga ky moment (muaji korrik) e deri në muajin tetor, kur shoku Mehmet më kërkoi prapë biografinë, për t’ja treguar Skënderit, që të prishte fejesë, pse kishte gabuar dhe me të drejtë qe kritikuar nga Partia, pra do korrigjonte veprimin e bërë, unë nuk dija gjë për lidhjen e fejesës. Këtë e mësova rastësisht nga të tjerë, kur po përgatitesha të shkoja me shërbim në Kolonjë.
Duke menduar se biografinë e kërkuar e dhashë me porosi të anëtarit të Byrosë Politike dhe Kryeministrit, me të cilin kisha vartësi për punë Partie dhe shtetërore dhe se, kur ai më pyeti, i thashë se për këtë çështje duhet pyetur e vepruar si të thotë Partia, unë deri ditën që më thirri e më kritikoi me shumë të drejtë shoku Enver, nuk e kisha kuptuar se e kisha gabim, por i ndihmuar nga Partia dhe udhëheqësi e mësuesi ynë i dashur, shoku Enver Hoxha, reflektova për gabimin tim dhe shkakun që më çoi në këtë gabim, për çka kam bërë autokritikë në Komitetin Qendror dhe tani do të përpiqem të bëjë edhe në organizatën bazë të Partisë.
Më konkretisht gjatë këtij veprimi, unë bëra dy gabime:
Së pari, kur shoku Mehmet më pyeti se po të isha unë, si do të veproja në rastin konkret, bëra mirë që i thashë se për këtë çështje, do vija në Parti dhe do pyesja si të më thosh dhe këshillonte Partia, por e kuptoj se duhet të thosha më troç, e pikërisht ashtu siç e ndjeja që: “djali juaj, nuk duhet të fejohet me këtë vajzë”.
Së dyti, kur e mësova këtë veprim, duhet të vija menjëherë tek shoku Enver, e të sinjalizoja se shoku Mehmet, po pyet për të fejuar Skënderin, me një vajzë që nuk i ka kushtet, me qëllim prevenimin e kësaj fejese. Këtë nuk e bëra me iniciativë, edhe kur e mora vesh ngjarjen.
Unë ndjej përgjegjësi gjithashtu, edhe për dhënien me vonesë Komitetit Qendror të Partisë të informacionit për komente dhe parulla, lidhur me këtë fejesë. Përgjegjësi për këtë kanë edhe shokët Mehmet Çaka, Kadri Gojashi, Zef Loka, Ndue Doçi dhe Tahir Malo, të cilët nuk e realizuan detyrën në kohë, me gjithë porositë dhe detyrat që ju dhashë për këtë çështje, bile disa herë.
Po të kisha punuar unë dhe shokët që merren me këtë problem, më mirë dhe konkretisht siç punuam pas kritikës së Komitetit Qendror të Partisë, me siguri do ta kishim realizuar detyrën më në kohë.
Çështjen e marrjes, përpunimit dhe bërjes së informacionit komiteteve të partisë në rrethe dhe Komitetin Qendror, lidhur me parullat armiqësore dhe komentet e ndryshme, ne e kemi diskutuar edhe herë të tjera, se organet e Sigurimit të Shtetit kanë të meta dhe dobësi. Ne s’kemi arritur që ta bëjmë këtë me kualitet dhe në kohën e duhur, rrjedhimisht ndihmojmë pak, prandaj duhet të ndreqim gjendjen.
Për këtë, po organizojmë tani disa konsulta dhe debate me kolektivin, e në përfundim, do të përmirësojmë si metodën e marrjes e të përpunimit, ashtu edhe atë të ezaurimit të këtij informacioni, me qëllim që ay të jetë sa më i plotë dhe në kohën e duhur.
Tani, duke analizuar qëndrimin tim për këtë çështje në frymën e kritikës plotësisht të drejtë që më bëri shoku Enver, unë nxjerr konkluzionin se shkaqet që më çuan në këtë gabim, janë dobësitë në formimin tim ideologjik, për të kuptuar kurdoherë drejt parimin marksist-leninist se vijën e Partisë duhet ta ruajmë me vigjilencë të lartë nga kushdo që e shkel atë e normat e Partisë.
Me këtë boshllëk ideologjik lidhet edhe besimi im i tepërt tek shoku Mehmet se ay, si një shok i udhëheqjes, bashkë me Fiqretin, nuk do ta bënin një gabim kaq të rëndë, që s’ja lejojnë vetes as komunistë të thjeshtë, dhe që nuk e përfytyrova dot se këta shokë, do të bënin një hap të tillë, pa pyetur Partinë dhe shokun Enver, i cili nuk do ta lejonte kurrsesi, një gjë të tillë.
Prandaj për të ardhmen kam nxjerrë mësime të mëdha që, nën drejtimin e Partisë dhe të shokut Enver Hoxha, të intensifikoj përpjekjet për edukimin tim ideologjik në tërësi, e sidomos për rritjen e vigjilencës lidhur me zbatimin rigoroz të normave dhe vijës së Partisë, si dhe luftën e vendosur që duhet bërë për t’i mbrojtur ato, nga kushdo që i shkel.
E siguroj Partinë, shokun Enver dhe organizatën bazë, se gabime të tilla nuk do t’ja lejojë kurrë vetes dhe, besnik i Partisë dhe shokut Enver Hoxha, gabimin e rëndë që bëra, do e shlyej me punë, duke mos kursyer asgjë, po qe nevoja, edhe jetën time.
Lidhur me sa më sipër, e quaj të nevojshme ta sqaroj në organizatën bazë të Partisë, se për fajin që bëri shoku Mehmet Shehu, shoku Enver Hoxha nuk dinte gjë, absolutisht. Këtë ay nuk e mësoi nga unë, por nga të tjerë dhe, kur e mësoi, mbajti menjëherë qëndrim të drejtë dhe të prerë, qëndrim Partie, marksist-leninist, ai thirri dhe e ndihmoi shokun Mehmet, për të korrigjuar fajin që kishte bërë.
Dhe s’ka si të ndodhte ndryshe, pse Partia dhe shoku Enver, nuk kanë lejuar dhe as do të lejojnë kurrë shkarje të tilla, nga kushdo qoftë ky, anëtar partie i thjeshtë, apo me përgjegjësi.
Si komunist, unë miratoj plotësisht qëndrimin shumë të drejtë, vigjilent, me partishmëri marksiste-leniniste dhe në kohë të Partisë dhe shokut Enver Hoxha, për veprimin e shokut Mehmet, shoqes Fiqret, e Skënder Shehu.
Me veprimin që kryen, këta shokë, kanë bërë faj tepër të rëndë: shkelën vijën e Partisë në një nga çështjet më kardinale të saj, siç është zhvillimi kurdoherë drejt dhe pa lëkundje i luftës së klasave, duke bërë krushqi me një familje me biografi të keqe, veprim ky që i bëri shumë dëm punës së Partisë dhe, po të mos qe korrigjuar menjëherë nga Partia dhe shoku Enver, pasojat do të qenë akoma më të rënda.
Shokët Mehmet dhe Fiqret, nuk duhej kurrsesi t’ja lejonin vetes një shkarje të tillë, pse janë shokë në udhëheqje, vijën e Partisë e dinë dhe të dhëna biografike për të mos bërë këtë shkelje, kanë pasur boll dhe në kohë.
Veprimi që kryen këta shokë, u bë shkak që të bëhen shumë komente. Kështu, opinioni i shëndoshë, duke shprehur habi se si e bëri një faj të tillë shoku Mehmet, pse figura e Qazim Turdiut dihet, arrinte në përfundimin se kjo është shkelje e vijës së Partisë, mungesë vigjilence ndaj elementëve të deklasuar, ndërsa kur mësuan prishjen e fejesës, po kjo kategori personash, thoshin me kënaqësi; “kështu do të ndodhte, pse Partia jonë dhe shoku Enver Hoxha, kurrë nuk kanë lejuar dhe nuk do të lejojnë që të shkelet vija e Partisë, nga kushdo qoftë”!
Farefisi i Qazim Turdiut dhe persona të tjerë me prirje liberale, shprehën kënaqësinë se nga ky precedent, mund të ndreqin dhe ata biografinë, kurse armiqtë shfrytëzua këtë akt, për të vjellë vrer kundër Partisë.
Qëndrimi i gabuar i shokut Mehmet e shoqes Fiqret, ndaj kësaj ngjarje, nuk mund të mos lidhet edhe me lëshimet që këta bëjnë ndaj sjelljeve e qëndrimeve të djalit tjetër (Bashkimit) dhe nuses së tij, të cilët shpesh herë janë bërë shkak për komente të ndryshme në popull, sidomos për veshjen në mënyrë të papërshtatshme dhe shoqërimin me persona të pakontrolluar, gjëra këto që nuk mund të mos dihen nga prindërit e tyre (Për këtë ata kanë pasur edhe disa sinjalizime).
Nisur nga këto gabime që bëri, kam mendimin se shoku Mehmet, është mirë të reflektojë e të luftojë edhe kundër vet-besimit të tepruar, që çon në disa raste të marrë vendime të ngutura, duke kaluar ndonjëherë edhe në ofendime të shokëve, apo ndrydhjen e ngurrimin e tyre, për t’i thënë lirshëm mendimet, gjë që e dëmton punën e Partisë.
Nga qëndrimi parimor dhe i partishëm që mbajti edhe në këtë rast Partia dhe shoku Enver, kam bindjen absolute, se jo vetëm unë, por të gjithë shokët do të nxjerrin mësime, sidomos për rritjen e vigjilencës dhe edukimin tonë me ideologjinë marksiste-leniniste, me mësimet e Partisë dhe të shokut Enver Hoxha, për të mbrojtur në çdo kohë dhe nga kushdo qoftë, vijën e Partisë, normat e saj, sepse vetëm kështu mbrohet dhe çelnikoset Partia, siç na porosit vazhdimisht Komiteti Qendror i saj dhe shoku Enver Hoxha. Memorie.al - Feçor Shehu