Në vend të hyrjes
Ajo çka po ndodh sot në Shqipëri në rangun e politikës, është një kopje e shëmtuar e së shkuarës diktatoriale të Enver Hoxhës, sidomos ajo e viteve të pas luftës kur u eliminuan shtresa e inteligjencës shqiptare. Pa u ftohur mirë grykët e pushkëve të luftës, një “luftë” e re nisi e porositur nga emisarët jugosllavë të atashuar në Partinë Komuniste të kohës.
Në shkurtin e vitit 1946 kur një personalitet i shumë mirënjohur i gjysmës së parë të shekullit XX, Lef Nosi, do të gjente vdekjen nga plumbat e togës së pushkatimit si pjesëtar i Regjencës në Luftën II Botërore, por asnjëherë kundër interesave të kombit të tij. Ishte e njëjta togë që pushkatoi edhe Patër Anton Arapin, edhe Maliq Bushatin, gjithashtu, të nderuar dhe shumë të respektuar, por edhe si shumë intelektualë që iu mor jeta si për koincidencë në muajin shkurt.
Për shkak të marrëdhënieve shumë të mira në Elbasan mes Lef Nosit dhe Aleksandër Xhuvanit, thuhet se ka pasur një përpjekje nga gjuhëtari dhe akademiku i mirënjohur që i shkoi Enver Hoxhës në shtëpi, meqë ishte edhe vjehrri i Ramiz Alisë që t’i falej jeta Lef Nosit. Nuk e mendonte Xhuvani se gjithçka do kthehej në zhgënjim nga pabesia që i bëri vetë kryediktatori. Sa ka kthyer krahët Xhuvani, Enveri ka urdhëruar ekzekutimin e Lef Nosit, ndërkohë që i ka thënë se ka ardhur me vonesë së ekzekutimi ishte bërë.
Retrospektivë për Lef Nosin
Lef Nosi ishte një erudit i përmasave kombëtare që i shërbeu kombit në momentet më të rëndësishme dhe e treti pasurinë për t’i shërbyer popullit. Në Elbasan ka edhe një monument për ta nderuar këtë burrë që jetën e lidhi me vepra në shërbim të atdheut të tij.
Lef Nosi ishte nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë (28 Nëntor 1912). Ministër i Postë-Telegrafes (4 dhjetor 1912- 21 shkurt 1914). Kryetar i Asamblesë Kombëtare (1943).Anëtar i Regjencës (1943 – 1944).
Lindi në qytetin e Elbasanit më 9 prill të vitit 1877. Në vitet 1918-1919 Lef Nosi ishte një nga drejtuesit e të përkohshmes “Kopështi letrar”, e cila dilte në Elbasan. Me Revolucionin e 1924, caktohet kryetar bashkie i Elbasanit. Me pushtimin fashist, Lef Nosi u internua në Itali bashkë me Mehdi Frashërin dhe Rauf Ficon, ku nuk e ndërpreu aktivitetin e tij në dobi të vendit. Kthehet në atdhe me 1942, ku takohet me Ali Këlcyrën, Mit’hat Frashërin, etj. për të shuguruar lëvizjen e Ballit Kombëtar. Për këtë fakt nuk mund t’i shpëtonte vlerësimit të gabuar dhe shpatës vrastare të diktaturës.
Arrestohet në Tiranë dhe, me vendim që u shpall më 13 shkurt 1946, për ekzekutim me pushkatim. Me aprovimin e akt-gjykimit nr.24 të Gjykatës Ushtarake Tiranë, e pushkatojnë te “Kodra e Priftit me 20 shkurt 1946.
REFLEKSIONE TË NEVOJSHME
Dihet tashmë se orientimet që jepeshin nga organi i quajtur “sigurim i shtetit” buronin nga një godinë që thuhet se quhej “Shtëpia e Gjetheve” (ish-materniteti i parë në Tiranë i Doktor Jovan Bashos). Në fakt, nuk ishte kjo godinë, ajo ishte vetëm zbatuesja e urdhrave që jepeshin nga njeriu – vrasës, që vriste shqiptarët “në emër të popullit”.
Si për kujtesë para shumë vitesh është bërë një veprimtari qeveritare për të njohur dhe “zbuluar” “Shtëpinë e Gjetheve” dhe në krah të kryeministrit u shfaq Bashkim Shehu, djali i ish-kryeministrit më jetëgjatë të diktaturës. U dëgjua edhe kryeministri, edhe Bashkimi që, për hir të së vërtetës, ka treguar objektivitet në shprehjen e mendimeve të tij që në fillime të pluralizmit politik për qëndrimet e të atit të tij dhe diktatorit. Por pyetja që lindi ato ditë në rrethe intelektuale ishte se përse Bashkim Shehu në krah të kryeministrit Edi Rama? Nuk ka asgjë të keqe, bile mund të jetë një rast për të thënë se pendesa ndaj viktimave të diktaturës duhet të bëhet jo thjesht duke hapur një “Bunkart” asi vepër e Edi Ramës, po një “Shtëpi Gjethesh”, as duke hapur dosje sipas metodës së luftës së klasave, me selektim, siç po ndodh rëndomtë në këtë qeverisje. Duke dënuar në thelbin e vet mendësinë dhe filozofinë e një sistemi që i krijoi ato, “Bunkartin” dhe “Shtëpinë e Gjetheve”, e kaluara është turpi i një kombi në politikat që u zbatuan ndaj “armikut” të brendshëm.
KTHEHEMI NË KOHË DHE HAPËSIRË
Ndoshta emrin e Lef Nosit kushdo në Shqipëri e kujton si një personalitet që ia dinë aktivitetin, ia njohin veprën, por që për fatin e keq nuk i vrau shkurti, por i shkurtoi jetën filozofia e së keqes që u mboll dhe dha fryte të llahtarshme në një vend që nuk kishte eksperienca të tilla. Në këtë shkurt ashtu si shumë e shumë të tjerë, kryeministri gjeti rastin të bërtasë i irrituar si një shprehje inati se ka qenë 20 shkurt kur iu përmbys idhulli i diktaturës që ai po kërkon ta rikthejë në kohë dhe në hapësirë.
Nga ana tjetër, gjithkush që e pa Bashkim Shehun edhe të shqetësuar menjëherë ka shkuar në mënd arsyetimin se këtë përfundim i dha ajo shtëpi e gjetheve njeriut që drejtoi qeverinë për rreth 25 vjet dhe që në fund të fundit ishte pjesë e diktaturës dhe bashkëpunëtor i diktatorit siç e ka thënë vetë i biri në një intervistë të para shumë kohëve. Pyetja që lind kur bën këtë abstragim është se veprat që bëri Lef Nosi dhe shumë e shumë burra që i dhanë dhe i shërbyen kombit i vrau plumbi, edhe pse ato ishin dhe mbeten lapidare për historinë e këtij vendi. Ndërsa veprat që bëri diktatura ishin viktima, viktimat në emër të filozofisë komuniste. Kush mund të dhe duhet t’ia rikthejë Lef Nosit jetën e cila iu shkatërrua pas atij inkuizicioni që përdorte sigurimi i Shtëpisë së Gjetheve? Kush do të kthejë dhe të vendosë në vendin e duhur padrejtësinë që mbolli kjo shtëpi? Në fakt, kjo shtëpi mund të ringrihet si godinë për t’u thënë brezave nga këtu prodhoheshin mynxyrat që bënte sigurimi famëkeq, por veprat e Lef Nosit nuk mund të kthehen më, as Bashkim Shehu nuk do të ketë mundësinë që të rikthejë babanë e tij për t’i thënë se si bashkëpunoi me diktatorin për të bërë këtë sigurim dhe se si kjo “Shtëpi e Gjetheve” i mori jetën.
Në filozofinë e njerëzve të shquar jepen momente përcaktuese se si duhet të na shërbejnë rindërtime të tilla që na kujtojnë rrethimet e telave me gjemba dhe të burgjeve të tmerrshëm, por kurrsesi ne nuk po shohim që veprat e njerëzve të shquar që i vrau komunizmi, i persekutoi sigurimi i shtetit të shfaqen ndonjëherë në ndonjë muze se për të shkruar bëmat e një sistemi të zi nuk do të mjaftonin jo më fjalët e Bashkim Shehut për një seancë lajmesh, por edhe sikur edhe detin ta bësh bojë, edhe qiellin ta bësh letër, në këtë vend të vogël do të duhet të shkruheshin histori drithëruese të tmerreve që shkroi me gjak kjo “Shtëpi e Gjetheve”. Fasada e pendesës që mund të na krijojë rindërtimi apo rikthimi i kujtesë që sjell kjo “Shtëpi e Gjetheve” apo “Bunkart”, nuk mund të shfajësojë pushkatimin e Lef Nosit apo dhomat e izolimit ku mijëra dhe mijëra shqiptarë u bënë viktima pa e ditur se për çfarë faji, por vetëm sepse një filozofi e mbrapshtë ktheu dhe shkurtoi jetën e një populli të tërë.
Unë e kam dëgjuar rrëfimin që ka bërë i biri i ish-kryeministrit dhe pajtohem me të. Por deri më sot nuk kam dëgjuar që një burrë shteti i së majtës shqiptare të rrëfehet me sinqeritetin që kërkohet në raste të tilla për t’i thënë opinionit se cila ishte e keqja që bëri Lef Nosi, Patër Anton Arapi, Mit’hat Frashëri, Maliq Bushati, Ibrahim Biçaku e dhjetëra e qindra intelektualë që shkuan në atë jetë vetëm e vetëm se diktatori nuk e duronte dot intelektualizmin e tyre, nuk e perceptonte dot pafajësinë e tyre.
Do të kisha mendimin që ato gjethe që mbulojnë këtë shtëpi të sigurimit të shtetit ndoshta do të ishin emra të atyre njerëzve që masakroi dhe i vrau kjo godinë dhe do të doja të quhej “Shtëpia që viktimizoi një popull”. Dihet se në muret e burgjeve, të çdo burgu politik në Shqipëri janë shkruar emra dhe thënie të viktimave që askush nuk i ka mbledhur, pale të mendosh të mblidhen ndonjëherë rrëfimet tronditëse të këtyre viktimave.
Fjalët e fundit të Lef Nosit ishin “Rroftë Shqipëria”, çka nuk e kanë thënë shumë njerëz, ndërkohë që ne dimë se çfarë shkroi ish-kryeministri, ne kemi dëgjuar se çka thënë ish-kryesigurimsi Kadri Hazbiu që besonin tek ideali i partisë që i vrau ata që i shërbyen ashtu siç u vra nga lufta e klasave një popull i tërë.
EPILOG
Një nip i Lef Nosit më thoshte një ditë se “daja u tret për Shqipërinë dhe ai nuk pranoi të arratisej duke thënë gjithnjë, “unë nuk kam bërë asgjë të keqe kundër vendit tim”. Këto fjalë Lef Nosi i tha edhe në gjyqin që iu bë, ndërkohë që për këtë ideal të pastër prej një shqiptari të mirë ai mori plumbin si shpërblim. Çuditërisht në këtë Shqipërinë tonë ende nuk është vrarë e keqja dhe nuk mund të ketë godinë apo shtëpi gjethesh që të shpëtojë mëkatarët. Ndoshta për këtë do të duhet të flasë më shumë Bashkim Shehu se e përjetoi vetë të keqen që i mori jetën edhe babait të tij, por kurrsesi që portreti i këtij njeriu të letrave të mund të bëhej simbol për të shpëtuar “Shtëpinë e gjetheve”, e cila ndoshta do të duhej të jepte llogari përpara viktimave që ajo vetë i shkaktoi.
Gjyqin ndaj kësaj shtëpie famëkeqe do të duhet ta bëjnë shqiptarët duke mos lejuar ringritjen, por shkatërrimin e së keqes ashtu si më 20 shkurt kur i dhanë përfundimin epokës së sigurimit të shtetit, që kurrsesi nuk duhet të lejohet të ringrihet si mendësi e paranojakëve, që në një ditë shkurti kryeministri Edi Rama na ë rikthen si një ligj që duhet të funksionojë për agjitacion e propagandë ndaj popullit që e votoi. /Gazeta Panorama