Mbresa dhe kujtime nga jeta e pilotit të talentuar tragjasiot, kolonelit të aviacionit, Niko Selman Hoxha, rënë në krye të detyrës, më 20 nëntor të vitit 1965, në aerodromin ushtarak të Rinasit, në një qitje luftarake, me aeroplan reaktiv ‘MIG’-17 F, përpara efektivëve të regjimentit dhe disa kuadrove ushtarakë akademistë. Mbresat dhe kujtimet janë mbledhur nga Niazi Xhevit Nelaj, në qershor – korrik 2012, në Vlorë, Tiranë, Voskopojë, etj, në takime me njerëzit dhe në biseda telefonike, deri në Boston-in e largët. Çdo takim dhe bisedë me bashkëkohës të Niko Hoxhës dhe të afërm të tij, ka gjetur pasqyrim në material, me besnikëri e autenticitet.
Monografia pasqyron vetëm një pjesë të jetës të heroit, atë pjesë e cila lidhet me aviacionin e me fluturimin e, nuk shtrihet në sfera të tjera të jetës shumëplanëshe të njeriut që i dha shtysë disiplinës dhe stërvitjes ushtarake e ajrore. Niko Selman Hoxha, siç ishte i rregullt, i disiplinuar e tepër korrekt, në repart, dallohej dhe për një regjim shembullor në jetë. Ai nuk banonte në repart e, nuk ushqehej në mensën cilësore të pilotëve por, në familje, falë përkushtimit dhe mirë-menaxhimit që i bënte situatës e shoqja, Jolanda, regjimit të tij nuk i mungonte asgjë. Ky shkrim nuk përfshin as jetën në familje të Nikos, nuk prek kujdesin e tij për djemtë, Valerin dhe Sashën, të cilët i la ende të parritur, por që sa qe gjallë i rrethoi me shumë kujdes e dashuri prindërore. Të tjerë shkrime që do të pasojnë, me siguri do të hedhin dritë dhe mbi ato anë të jetës së Niko Hoxhës, të cilat në këtë monografi kanë mbetur disi në hije.
Kush ishte Niko Selman Hoxha?
Kolonelin e shoqëronte piloti i ri nga Sasajt e Sarandës, Zija Shyqo Memi. Çiftin e dytë, e printe vunjoti Kosta Neço Dede, pilot i klasit të parë dhe, në fund të formacionit, ishte tiranasi trim, njëri nga pilotët më rezultativë të regjimentit, për qitje kundër shenjave tokësore, Bilal Murat Josja.
Katërshja e avionëve, doli mbi aerodrom në lartësinë që e lejonte shtresa e poshtme e reve dhe bëri një kalim demonstrativ, në lartësi të ulët, mbi shenjë. Në momentin e duhur, me komandën e udhëheqësit të formacionit, të katër pilotët lëshuan raketat e sinjalizimit të bordit, si shenjë që improvizonte lëshimin e bombave dhe kaluan në marrje lartësie, një nga një, me rrotullim të majtë, mbi fshatrat Valias e Qerekë, për të ndërtuar manovrën e sulmit kundër shenjës në tokë.
Aeroplani që drejtohej nga Niko Hoxha, i pari në formacion, mbasi bëri një manovër “të thellë”, doli tek kthesa e katërt, atje ku nis sulmi, më afër shenjës që do të godiste dhe u fut në pikiatë, me kënd më të thellë nga ai që rekomandohet në literaturën përkatëse të aviacionit. Koloneli realizoi qitjen, me predha luftarake dhe nisi ta “nxjerrë” aeroplanin, nga pikiata, me një temp më të ngadaltë se ai që nevojitej në këtë rast. Kur avioni i tij fluturonte rrafsh me tokën, mbi kokat e atyre që vrojtonin fluturimin, koloneli i kishte dhënë avionit pozicionin që i duhet për të prekur tokën, por në këtë rast, shpejtësia progresive e tij, ishte afërsisht 700 km/orë.
Me këtë shpejtësi, avioni preku tokën, me bobishkë (një thikë duralumini e vendosur në fund të trupit, nga poshtë, me qëllim që të mos dëmtohet avioni në ulje të rënda). Prekja e avionit me token, shkaktoi veprim të kundërt. Pamë si kërceu lart avioni, kaloi kanalin e, më tej shpërtheu, me flakë, duke rrëshqitur në arën me misër të vjelë. Copat e aeroplanit, me flakë, të ndara në tri pjesë, i gjetëm në mes të parcelës. Katapulta e aeroplanit, kishte plasur, e kishte nxjerrë kolonelin jashtë aeroplanit dhe e kishte hedhur djathtas. Në drejtim të avionit që po digjej, vrapuam, me shpresën se, mbase e gjenim të gjallë. Nuk u besonim syve, edhe pse ngjarja ndodhi përpara syve tanë.
Hipur në një avion MIG-17 F, qëndroja në zonën 1, i gatshëm që, me komandën e udhëheqësit të fluturimit, të lëshoja motorin e avionit e të ngrihesha në ajër për të realizuar ushtrimin e qitjes, që më kishte mbetur nga plani vjetor i fluturimeve. Makinën që lëshon motorin, e kisha të takuar pas nyjës ku kabllot elektrikë të makinës (APA) bashkohen me nyjën elektrike të bordit të avionit. Shlemafonin e kisha të veshur e radion, në funksion normal pune. Nëpërmjet radios dhe me sy vrojtoja e dëgjoja çfarë po ndodhte përqark meje, siç bën, në të tillë raste çdo pilot, kur pret radhën për t’u çuar në ajër.
E ndoqa manovrën e pilotëve dhe e pashë me sy, nga kabina e avionit ku isha ulur, atë që ngjau me kolonelin. E pashë e u llahtarisa. Tjetër emër nuk mund t’i vesh, asaj që më panë sytë. Vetëtimthi u zgjidha nga rripat me të cilët isha mbërthyer pas kabinës së avionit, zbrita nga avioni, hipa në makinën e lëshimit dhe u nisa, me shpejtësinë që nxjerr ajo makinë speciale, në drejtim të avionit që po digjej. Si unë, bënë të njëjtën gjë edhe njerëzit e tjerë, të cilët u ndodhën në zonën Nr. 1 e në të gjithë aerodromin. Turma njerëzish u sulën nga Valiasi, ku banonin familjet e oficerëve të regjimentit dhe punonjës të rastësishëm të fermës e të kooperativave bujqësore përqark, për të shkuar tek vendi i ngjarjes. Ndoshta isha nga të parët që kalova kanalin e gjerë, në fund të aerodromit e, u hodha në parcelën matanë.
Piloti Bashkim Agolli, trupvogël mbeti në kanal dhe ishte duke u mbytur; shoku i tij, piloti nga Kllojka e Tiranës, Adem Ceça, një gjigant nga trupi, e kapi prej zverkut Nipçen (kështu e thërrisnim me shaka Bashkim Agollin) dhe e nxori matanë. Të gjithë vraponin si të mundnin e, mesa fuqi kishin. Për të parë nga afër atë që po digjej e, çfarë kishte mbetur prej saj. Avioni i Nikos, pas shpërthimit, u nda në tri pjesë dhe secila prej tyre rrëshqiti në patcelë, duke lënë pas një gjurmë flake e tymi, bashkë. Ndoshta isha nga të parët, që shkova pranë trupit të pilotit që po digjej.
Më besoni: edhe pas kaq vitesh, nuk më vjen mirë të përmend e të pajtohem me atë vrasje, edhe pse jam dëshmitar okular i saj. Nuk e mbaj mend kë kisha pranë; të gjithë ishim të shokuar. Nuk u besonim syve; na dukej sikur ishim në një ëndërr të keqe. Thonë që ëndrra më e gjatë vazhdon vetëm disa sekonda, ne mezi prisnim të mbaronte kjo ëndërr e llahtarshme e, të mbërrinim tek trupi i tij. Duke vrapuar, në çmendurinë time, kërkoja me sy trupin e kolonelit. E gjeta, mes flakëve, në gjuhëzënë e djathtë të asaj flake të kobshme. Po digjej, së bashku me mbeturinat e avionit të tij. Trupi i tij, i gjatë e i mbushur, ishte anuar djathtas.
Dukej sikur ishte mbështetur në krahun e djathtë e po qëndronte “në brinjë”.
Çizmja e këmbës së majtë, prej lëkure, tek qafa, ishte djegur. Pantallonat kilota, gjithashtu prej lëkure, tek pulpa e këmbës së majtë, ishin djegur. Po digjej mishi i këmbës së majtë, tek pulpa. Fytyra e bukur ishte shtypur, por nuk ishte shpërbërë, njihej që ishte koloneli. Pas veshit të majtë, nga vena karotite, një curril gjaku dilte në atmosferë, si shatërvan. Koloneli, siç duket ishte ndarë nga jeta, që në goditjen e parë. Kot rrekeshim të besonim në një mrekulli. Kur pashë këmbën e majtë që po digjej, instinktivisht, nën efektin e gjendjes së shokut dhe i shtyrë nga ndjenja humane, për t’i ardhur në ndihmë atij që vuan, doja ti fikja flakën, nga këmba.
Nuk e shikoja dot atë qenie që po përcëllohej. Doja ta fikja por mendja nuk më funksiononte, për të gjetur ndonjë mjet rrethanor, siç ishte dheu i lagur. Gjeta më për kollaj ta fikja me dorë. Vura dorën mbi mishin e këmbës që po digjej e, ai m’u ngjit pas dorës. Kushedi sa do të më ketë dhembur ajo djegie por unë nuk e ndjeva. Ishte shujë më e madhe djegia që ndjeva në zëmër. Në të tillë gjendje, ishin të gjithë shokët e mi, jo vetëm pilotët.. Një oficer Sigurimi, i cili gulçonte nga vrapi, po përpiqej të mbërrinte në vendin e ngjarjes. Me një zë autoritar e, me ton urdhërues, sigurimsi na bërtiti: “Ju pilotët, largohuni menjëherë prej këtej”. Ja donte puna dhe e kishin urdhëruar shefat e tij, për të thënë kështu, “derëzinë”. Siç e gjykoj pas kaq kohësh, ai oficer Sigurimi (nuk ia mbaj mend emrin), si gjithë raca e tij, me servilizëm e arrogancë njëherazi, me këtë mënyrë i bënte shërbimin e nevojshëm “tagjisë” me të cilën ushqehej.
Na urdhëruan të futeshim në kinemanë e regjimentit, e aty, pas 15-20 minutash, erdhi Ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu, i cili u mundua të na sqaronte, të na qetësonte e të na jepte kurajë, por binte në sy inkopetenca e tij, për të depërtuar në thelbin e ngjarjes. Kot që ishim në sallën e kinemasë, mbasi nuk dëgjonim asgjë nga ato që thoshte shtetari i lartë. Ne ishim aty vetëm si trup, se mendjen e kishim tek ndodhia. Na qante zemra e na kishte lajthitur mendja. Siç thonë në anët tona: “Thika na kishte shkuar në palcë”. Në ato çaste, thosha me vete: “Inshallah nuk ka vdekur, ai tribun e zgalem, lajmëtar i asaj që po vinte”. Kot rrekesha të besoja në mrekullinë; gjëma kishte ndodhur.
Koloneli, u përcoll, me nderime, siç e meritonte, për në banesën e tij të fundit. Ai u varros, me një ceremoni funerale, me lule e fjalime të zjarrta, në varrezat e Sharrës, në parcelën e parë, rrëzë murit rrethues, pranë bashkëluftëtarit e kolegut të tij të ndjerë, nënkolonelit Peço Polena. Ato ditë, piloti Çobo Ibro Skënderi, i cili e donte dhe e respektonte shumë Niko Hoxhën, shkrojti vargjet:
“Këtu prehet një ushtar,
Më i thjeshti, ndër të thjeshtët ,
Një pilot shumë guximtar,
Komandant, nga më modestët”,
Këto vargje, të gjetura, kushtuar figurës të atij trimi, u gdhendën, në pllakën e kokës së varrit dhe vendi ku u preh për shumë kohë koloneli, u kthye në një “faltore” e në vend pelegrinazhi për ata që e kanë dashur dhe e duan me zemër kolonelin dhe aviacionin tonë. Vite më vonë, varri i Niko Hoxhës, u transferua në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, së bashku me shokët dhe vartësit e tij, të cilët patën të njëjtin fat e fund. Nikon e pamë me sy si ra e si ndodhi, por mjaft të tjerë që ranë, nuk u panë. Secili nga të rënët e aviacionit, ka vënë jetën e tij, gjënë më të shtrenjtë që ka njeriu, në shërbim të lartësimit të armës.
Ngjarja e rëndë ku humbi jetën njëri nga pionierët e aviacionit, trimi i çartur, Niko Selman Hoxha, bëri shumë bujë e shkaktoi mjaft keqardhje e trishtim. Por pati dhe reflektime pozitive. Pilotët e kapërcyen pikëllimin me kurajën dhe burrërinë që u kishte “mëkuar” vetë Niko. U bënë analiza e u zhvilluan provime teoriko-praktike dhe jeta rrodhi siç di të rrjedhë ajo. Në format ndryshme u shpreh hidhërimi i njerëzve e, u shfaq sentimentalizmi i tyre. Shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, kur mori njoftim mbi vdekjen heroike të pilotit Niko Hoxha, shkrojti:
“Shumë e doje këtë tokë.
Shpesh i afroheshe me të tmerrshmen shpejtësi,
Një ditë, aq shumë iu afrove,
Sa, ajo zgjati dorën e të mori në gji”.
Me këto vargje, shkrimtari i madh, sikur i ka vënë vulën opinionit të kohës, për Niko Hoxhën. Populli ynë e ka në gen nderimin për trimat. Tepelenasit, në vazhdën e traditës, e shprehën me këngë konsideratën dhe hidhërimin. Një gjë është e qartë: Po zure vend në këngët e popullit, me siguri, dikush je. Kënga elegji e tepelenasve jehoi fuqishëm në ato ditë:
“Shqipëria ra në zi,
Lajmëron Radio-Tirana:
Ka ndodhur një tragjedi,
Komandanti aviacionit,
I njohur për trimëri,
Fluturoi lart, në qiell,
Së bashku me shokët e tij,
I gjallë më nuk u ktheve ,
Avionin nuk e lëshove,
Po vdiqe bashkë me të”.
Vargjet dhe thëniet që lidhen me heroizmin e Niko Hoxhës, i bëjnë jehonë aktit heroik të tij dhe janë në shërbim të përjetësimit të tij. Gjërat rrodhën në shtratin e tyre e, jeta vazhdoi si më parë. Njerëzit dolën nga kllapia e iu përfillën punëve, mjaft nga nxënësit e Kolonelit u rritën, në moshë e në profesion; disa u bëmë dhe drejtues e kuadro me përvojë. Është në nderin e secilit, ta kthejë kokën prapa e të lexojë pa emocione, tërë veprën e tribunit tonë Niko Selman Hoxha. Gurët e themelit që vendosi koloneli 50 vjet më parë, lidhur me përgatitjen e pilotëve e të avionëve, për fluturim, nivelet që la ai, të cilët u ngjitën më lart nga nxënësit e tij, pavarësisht nga ndryshimet që kanë ndodhur, në teknikë e teknologji, mbeten pika referimi, për të sotmen e të ardhmen.
Koha bëri të sajën e tribuni mbeti atje, tek ajo misërishte e korrur, përtej pistës së Rinasit; disa nga bashkëkohësit dhe ata që mësoi koloneli, tashmë janë moshuar, aq sa duhet të mendohen një copë herë, pa mezi të të thonë diçka të saktë për heroin, por jehona e veprës së tij na vjen, e freskët, si ndonjë fllad që na ledhaton e na kujton dhe pse koha që ka kaluar është e gjatë. Pas ngjarjes u nxorën përfundime e u shtruan detyra, për të shëndoshur gjendjen, shkrojtën gazetat e kohës e u përshtatën referate, një bust i kolonelit u vendos në qendër të repartit dhe regjimenti i Rinasit, mori emrin “Niko Hoxha”, dikur ja hoqën atë, e prap ja dhanë, etj., refleksione të njerëzve sipas koniukturave politike.
Nuk e kam aftësinë të gjykoj atë që është gjykuar një herë, ca më pak t’i heq koren plagës që është përtharë por, ndonjë rezervë e kam e, atë nuk e mbaj për vete. Në aviacion kanë ndodhur ngjarje të rënda, të cilat në disa raste kanë përfunduar me katastrofë. E tillë është natyra e punës, i tillë është profesioni i veçantë i pilotit. Ndaj njerëzit, kur kalon ndonjë avion sipër, instinktivisht ngrenë kokën e duan ta vështrojnë. Kjo dukuri, i kalon caqet e nostalgjisë që kanë njerëzit për ajrin dhe avionin, por janë dhe një nderim që u bëhet atyre që çajnë qiejt, duke rrezikuar jetën.
Po të lexosh konkluzionet e ngjarjeve ajrore, pa parë emrin e pilotit fatkeq, të neverit përfundimi, të më falni për fjalën, vulgare, se: “shkaqet janë njerëzore”. Dhe kështu i vihet kapaku ngjarjes, sipas sloganit të hershëm” “I gjalli me të gjallët, i vdekuri me të vdekurit”. Në një vështrim rrëshqitës, konkluzioni mbi shkaqet njerëzore mund të jetë i drejtë, por më duket nuk shkon për të gjithë rastet. Është paaftësia e njerëzve që nuk depërtojnë në thellësi të dukurisë, për të shkuar tek e vërteta.
Pa marrë pozicione moralisti e, pa e futur veten në rdhën e atyre sentimentalëve që venë pasionin para logjikës, e them me bindje se, për Niko Hoxhën, slogani i mësipërm, nuk shkon. Kolonel Niko Selman Hoxha, ishte e mbetet një hero, me germë të madhe. Vepra e tij ka gojë e flet. Jehona e saj, siç na ka ardhur deri në ditët tona, me siguri do tu përcillet dhe brezave që vijnë, nderimi për atë njeri nuk mund të ketë të shterur. Koha kalon, disa i le në hije, ose i harron, vepra e Niko Hoxhës, do të ngrihet lart e më lart, siç ndodh me tribunët. Memorie.al