Kur ka kaluar një vit nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit, shtëpia e zonjës Xhevrie Farruku në lagjen Arapaj të Durrësit ka mbetur me mure të çara dhe dritare që mungojnë.
Banesa e saj u dëmtua dy herë radhazi nga tërmetet e vitit të kaluar dhe për dëmtimet e shkaktuara nga tërmeti i shtatorit riparimet i kreu vetë.
Xhevrie Farruku: Në shtator më prishi shtëpinë tërmeti, bëra tavanin më shkoi gati 2 milionë.
Zonja Farruku tregon se pas tërmetit të nëntorit aty është paraqitur një ekip specialistësh që e ka klasifikuar banesën të pabanueshme, por më vonë ky klasifikim është ndërruar.
Xhevrie Farruku: Shtëpinë ma kanë vlerësuar me 2 milionë e gjysmë, erdhën e verifikuan, kur erdhën më thanë dil jashtë se është e pabanueshme. Kur mora letrën më nxorën DS2.
Vlera e riparimit sipas saj është e pamjaftueshme ndaj kërkon që riparimin ta kryejë vetë bashkia ose banesa t’i rivlerësohet sërish.
Xhevrie Farruku: Kam kërkuar që të bëhet verifikimi, nuk më është bërë, po është për DS2 unë lekët nuk i marr, nëse bëhet shtëpia ime.
Ajo tregon se është ankuar por deri më sot nuk ka marrë asnjë përgjigje nga Bashkia e Durrësit.