Shembja e një pallatit 5 katësh në Spitallë të Durrësit është shoqëruar me kaos për banorët e lagjes 15.
Mjetet e rënda kanë ngulur skrepat në të gjitha anët për ta rrëzuar përtokë pallatin, i cili u bë i pabanueshëm në nëntorin e vitit 2019 për shkak të tërmetit shkatërrimtar.
Policia ka rrethuar zonën duke bllokuar kalimin e çdo mjeti në rrugën Durrës-Porto Romano.
Reja e pluhurit është shtrirë në të gjithë lagjen duke krijuar rreth e qark shtresë të hirtë.
Për këtë veprim IKMT nuk ka njoftuar as banorët e pallatit që gjendet 15 m larg nga 5 katëshi që po shembet.
Shtëllungat e pluhurit të favorizuara nga era kanë shkuar deri pranë spitalit rajonal në njërën anë dhe përtej shkollës 9-vjeçare “Neim Babameto” në anën tjetër.
IKMT është e detyruar që në të tilla veprime të lagë rregullisht inertet që shemben, por në terren nuk kishte asnjë mjet zjarrëfikës, apo bot me ujë për të ulur ndotjen e madhe.