Tre persona që ushtronin veprimtari kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve eksplozive dhe të armëmbajtjes pa leje, u arrestuan sot në kuadër të operacionit policor të koduar “Binomi”, në Durrës.
Policia tha se sekuestroi 4.6 kg lëndë eksplozive tritol dhe C-4, një kallashnikov, municion luftarak, granata dore dhe kapsolla detonatore. Në pamjet e operacionit të publikuara nga Policia e Shtetit shihet dhe ndërhyrja që çoi në pranga tre të rinjtë.
Një prej të arrestuarve, rezulton i dënuar më parë për dy vepra penale.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me strukturat e tjera policore të DVP Durrës, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Binomi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
B. F., 42 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Vjedhja”;
A. Gj., 33 vjeç dhe J. F., 33 vjeç, banues në Tiranë”, tha policia.
HETIMET
Sipas bluve, hetuesve u janë dashur një muaj për të bërë të mundur dokumentimin me prova ligjore të veprimtarisë kriminale.
Mësohet se këta shtetas trafikonin armë, lëndë eksplozive dhe municione, në qytetet e Tiranës dhe Durrësit.
“Bazuar në këto prova, në vendin e quajtur “Mbikalimi i Shkozetit”, Durrës, në kuadër të operacionit “Binomi”, u bë kapja dhe arrestimi i këtyre personave. Gjatë kontrollit në automjetin tip “Land-Rover Frilander”, me drejtues shtetasin J. F. dhe pasagjerë shtetasit B. F. dhe A. Gj., Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provave materiale:
• 1.2 kg eksploziv i paketuar i dyshuar i llojit C-4;
• 2.2 kg lëndë eksplozive e dyshuar tritol;
• 3 granata dore luftarake;
• 4 aparate telefoni celular.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe automjeti tip “Land-Rover Frilander”.
Po në funksion të procedimit penal të nisur një muaj më parë për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar edhe një armë zjarri kallashnikov dhe 1.2 kg lëndë eksplozive tritol, 5 kapsolla detonatore dhe një sasi municioni luftarak.
Vazhdon puna për dokumentimin e plote ligjor të kësaj veprimtari kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në të”, bëri me dije policia.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Durrës, për hetime të mëtejshme.