Policia Kufitare ka zbuluar në Portin e Durrësit, 86 mijë e 740 paund të fshehura në një furgon që vinte nga Italia. Menjëhërë I janë vënë prangat shoferit 21 vjeçar E.H nga Kamza për dy akuza: “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Policia Kufitare njoftoi se në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe autoriteteve doganor, parandaloi në Portin e Durrësit një rast të mosdeklarimit të një shume parash në paund, ku edhe sekuestroi 86.740 paund.
Shërbimet e Polcisë Kufitare kanë intensifikuar kontrrollet si në dalje, ashtu dhe në hyrje, në Portin e Durrësit. Si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar në analizën e riskut në hyrje, është kaluar në vijën e dytë për kontrroll të imtësishëm, një furgon mallrash që vinte nga Italia, me drejtues shtetasin E. H.
Gjatë kontrollit të kryer në furgon, në një televizor, u konstatuan 16 pako me para, paund, të cilat u sekuestruan. Rezultoi se në pakot e sekuestruara në cilësinë e provës materiale kishte 86.740 paund.
Në përfundim të veprimeve u arrestua në flagrancë për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, shtetasi E. H., 21 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë.
Ndërkohë nga strukturat hetimore të DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë implikuar në këtë vepër penale.