Durrësi nuk do të ketë më një zyrë kadastrale pasi ajo do të zhvendoset në Tiranë.
Burimet kanë bërë të ditur se shkak për transferimin janë bërë proceset e tejzgjatura dhe burokracitë në kadastrat e qyteteve bregdetare që kanë ardhur për shkak të konflikteve mbi pronësinë.
Në fakt në Durrës më herët ka pasur edhe hetim prej prokurorisë për pronat e bregut.
Për shkak të rëndësisë së informacionit, transferimi i arkivit me dosjet, regjistrat hipotekorë e çdo gjë tjetër është bërë i mundur me praninë e policisë.
Burimet bëjnë me dije se shërbimet do të vazhdojnë në Durrës për sqarime dhe aplikime.
Transferimi nga Durrësi në Tiranë është bërë me qëllim shmangien e kontaktit fizik me njerëzit dhe për t’i orientuar më shumë drejt aplikimit online.
Në fakt, absurd duket fakti se deri më tani zyrat e Kadastrës së këtij qyteti kanë qenë të vendosura brenda një qendre tregtare.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës synon të stabilizojë zonat më problematike.
Kujtojmë këtu se Vlora gjithashtu ka hasur një sërë problematikash dhe në 10 muaj janë ndërruar 8 drejtorë kadastre, të cilët jepnin dorëheqjen vetëm pas disa ditësh ose javësh punë.
Por duket se dhe atje është gjetur qetësia pasi prej thuajse një viti kur u emërua drejtori i kadastrës së Vlorës, Andi Binaj, nuk ka pasur më ndryshime.