Bllokimi i timonit të mjetit lundrues vë në rrezik 3 të mitur nga Tirana në det, policia kufitare e Durrësit i nxjerr në breg.
Efektivët e policisë kufitare të Durrësit u erdhi në ndihmë 3 pushuesve që kishin mbetur në det të hapur, me një pedalon. Situata në det u regjistrua rreth orës 17:05, kur është kërkuar ndihmë për të miturit. Sipas njoftimit, në det të hapur, në vendin e quajtur “Adriatik 1”, Durrës, 3 të mitur që kishin dalë në det me një pedalon nuk po ktheheshin dot në breg.
Menjëherë në ndihmë të tyre, janë nisur shërbimet, me skafin e Policisë Kufitare Durrës. Shërbimet konstatuan se larg bregut, në det të hapur, mjeti pedalon me tre 15-vjeccarët në të ishte bllokuar dhe nuk lëvizte pasi i ishte bllokuar timoni.
Policia ka marrë në skafin e saj 3 pushuesit e moshës 15 vjeç dhe i kanë nxjerrë në breg. Të tre ishin në gjendje të mirë shëndetësore. Policia kufitare e Durrësit këshillon të gjithë pushuesit që t’i përdorin mjetet lundruese sipas rregullave të përdorimit të tyre, për të mos rrezikuar jetën në det.