Vijon shorti për shtëpitë e tërmetit! Familjet që humbën shtëpitë në Durrës po marrin banesat e reja

Durrësi

Vijon shorti për shtëpitë e tërmetit! Familjet që humbën shtëpitë në Durrës po marrin banesat e reja

Më: 2 shtator 2024 Në ora: 13:23
Foto nga vendi i ngjarjes

Në Durrës po vazhdon hedhja e shortit publik të radhës, këtë herë për ndarjen e 154 apartamenteve 1+1, të ndërtuara në zonën e re zhvillimore në Spitallë.

Javën e kaluar ishin 391 familje përfituese të programit të rindërtimit që mësuan vendndodhjen e banesave të tyre të reja 2+1, ndërsa sot po shpërndahen apartamentet 1+1.

Procedurat po vijojnë normalisht. Familjet përfituese janë nga të gjitha njësitë administrative të bashkisë Durrës, të cilët mbetën pashtëpi nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Sipas nënkryetarit të bashkisë që drejton procesin e shortit, pritet që brenda një kohë të shkurtër, 545 familjet përfituese të apartamenteve 2+1 dhe 1+1 të ndërtuara në Spitallë të sistemohen në shtëpitë e reja, menjëherë pasi Bashkisë t’i dorëzohen çelësat nga njësia zbatuese.

Banorët do të njoftohen përmes njësive administrative për tërheqjen e tyre.

545 familje kanë përfituar nga dy shortet e hedhura ditët e fundit, ndërsa më pas pritet të zhvillohet dhe shorti për apartamentet 3+1.

Ndërkaq njësia zbatuese e projektit vazhdon punimet në Spitallë për sistemimin e infrastrukturës përreth 85 pallateve dhe të vetë objekteve të banimit. Paraprakisht deklarohet se gjithçka do të jetë gati në fund të shtatorit.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat