Kompania gjermane shet koncesionin e kalatës lindore në portin e Durrësit

Durrësi

Kompania gjermane shet koncesionin e kalatës lindore në portin e Durrësit

Më: 3 shtator 2024 Në ora: 08:37
Porti i Durrësit

Kompania gjermane “EMS Shipping and Trading GMBH” u largua nga koncesioni i menaxhimit të kalatës lindore të portit të Durrësit më 31 korrik 2024, pasi ia shiti aksionet një kompanie kroate për një vlerë të paguar prej 13 milionë eurosh, sipas dokumenteve të depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Kontrata e shitjes në favor të kompanisë kroate “SCAPHA D.O.O” u nënshkrua në qershor dhe u finalizua në fund të korrikut, pas marrjes së miratimit nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku.

Kompania gjermane e menaxhonte kalatën lindore përmes kompanisë së themeluar në Shqipëri, EMS APO që prej vitit 2013,  kur fitoi një koncesion 35-vjeçar nga qeveria në largim e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Një dekadë më pas, vazhdimësia e koncesionit u vendos në pikëpyetje nga planet për zhvendosjen e portit dhe zëvendësimin e tij me “Durrës Port Yachts and Marina” i qeverisë shqiptare në bashkëpunim me investitorin nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Muhamed Alabbar.

Kompania blerëse rezulton një kompani me përgjegjësi të kufizuar e themeluar në Kroaci me adresë në Split, e cila merr përsipër sipas kontratës dy-palëshe të gjitha detyrimet që rrjedhin nga kontrata koncesionare.

“SCAPHA D.O.O” nuk ka depozituar në qendrën kombëtare të biznesit pronarët fundorë, por sipas të dhënave të siguruara nga burime të hapura drejtohet nga Filip Rogosic, një biznesmen i ri kroat dhe drejtues i portit të Splitit.

Kalata lindore e portit të Durrësit, e transformuar në një terminal mineralesh, u vendos në qendër të debatit publik gjatë muajit gusht për shkak të nisjes prej tij të kontenjerëve që dyshohet se përmbajnë mbetje toksike nga fabrikat e kompanisë “Kurum International”.

‘Basel Action Network”, një organizatë mjedisore me qendër në Shtetet e Bashkuara, më 5 gusht ngriti alarmin se dy anije kontenjerësh të linjës Maersk kishin ngarkuar në portin e Durrësit në fillim të korrikut rreth 100 kontenjerë me mbetje të rrezikshme, e cila vjen nga hiri i oxhaqeve metalurgjike elektrike (EAFD) me destinacion Tajlandën.

Pas publikimit të skandalit, qeveria shqiptare është përpjekur të heqë fajin nga vetja duke fajësuar kompaninë koncensionare të portit dhe kompaninë Kurum si përgjegjës.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat