Ngjarja që u zbulua ditën e djeshme, ku Enver Balla 62-vjeç u gjet i pajetë në një pus tronditi gjithë opinionin publik. Arsyeja e kësaj tronditje ishte se autori i ngjarjes së rëndë ishte pikërisht djali i vogël i tij, Esmerald Balla 30-vjeç.
Ky i fundit, e kishte vrarë babain e tij rreth 20 ditë më parë me armë dhe më pas e kishte hedhur trupin e pajetë në një pus pak metra larg shtëpisë, në mënyrë që të fshihte gjurmët. Ndërkohë që një ditë para se të gjendej trupi i pajetë i viktimës, djali kishte bërë denoncimin në polici, duke thënë se babai i tij ishte larguar nga banesa me një grua të panjohur, dhe si për të vërtetuar këtë, ai kishte nxjerrë edhe një sms nga rrjeti social Instagram. Aty 30-vjeçari kishte treguar mesazhin e një gruaje të panjohur që shkruante se familjarët nuk duhet ta kërkonin 62-vjeçarin, pasi ai ishte larguar me pushime me të.
Kasaforta, shkaku i vrasjes
Viktima ka pasur një kasafortë te dhoma e të birit në brendësi të së cilës kishte 75 milionë lekë të vjetëra, ndërsa çelësin e mbante me vete. Autori dyshohet se e kishte hapur me gur fresibël kasafortën dhe për një kohë të gjatë merrte para. Në momentin që babai ka dashur të marr rreth 20 mijë euro për t’i investuar tek një shtëpi që po ndërtonin, ka konstatuar që mungonin lekët. Aty kanë debatuar dhe kanë nisur të konfliktohen. Të nesërmen në mëngjesin e 13 gushtit kanë dalë bashkë dhe tek stani i tyre djali e ka qëlluar.
Zbulimi i ngjarjes
Pai e vrau dhe fshehu trupin e babait, Esmerald Balla ka shkuar në polici dhe ka denoncuar humbjen e babait. Kjo nuk i ka bindur hetuesit të cilët kanë përgjuar bisedat telefonike të 30-vjeçarit dhe kanë zbuluar ngjarjen e rëndë. Autori pas arrestimit ka pranuar krimin duke thënë se vrau të atin dhe pretendon se ky i fundit i kishte marrë shuma parash.
Tragjedia për familjen Balla
Enver Balla kishte katër fëmijë, tre djem dhe një vajzë, ndërsa bashkëshortja i kishte ndërruar jetë para 3 vitesh. Vajza e të ndjerit, njëkohësisht motra e autorit ka reaguar pas ngjarjes së rëndë përmes një postimi në Facebook. Mes rreshtash, ajo shkruan se ende nuk ka marrë veten nga humbja e nënës, e cila ishte ndarë nga jeta disa vite më parë.
“Më zgjo nga kjo ëndërr e zezë o Zot, unë akoma s’e kam kaluar humbjen e mamit dhe tani ike edhe ti o bush. O babi të lutem, o bab më zgjo nga ky makth”, shkruan vajza në rrjetet sociale.