Djali vrau babain/ Zbardhen detaje tronditëse, ja çfarë deklaroi në polici bashkëpunëtori

Durrësi

Djali vrau babain/ Zbardhen detaje tronditëse, ja çfarë deklaroi në polici bashkëpunëtori

Më: 6 shtator 2024 Në ora: 12:55
Enver Balla kishte katër fëmijë, tre djem dhe një vajzë

Dëshmia e 25-vjeçarit të arrestuar si bashkëpunëtor në ekzekutimin e 62-vjeçarit Enver Balla nga djali i tij ka hedhur më tepër dritë mbi ngjarjen makabër të Shënavlashit.

Sipas grupit hetimor, i punësuar si bari në fermën e familjes Balla, Edison Brahaj ka pranuar se ditën e krimit, më 13 gusht, ka qenë disa metra larg vendit ku u ekzekutua Enveri. Ai ka pranuar se dëgjoi dy të shtëna dhe më pas është thirrur nga Aldi (Esmeraldi) për ta ndihmuar të zhvendosin trupin e viktimës të cilin fillimisht e kanë fshehur në ferra.

Të nesërmen (më 14 gusht) janë kthyer dhe e morën trupin për ta hedhur në pusin afër një stani tjetër. Për këtë ai ka deklaruar se është paguar nga Esmerald Balla me 20 000 lekë, ndërsa 30-vjeçari i akuzuar për vrasje ka thënë se i ka dhënë 250 000 lekë.

Gjatë kontrollit në banesë, Brahajt iu gjetën 145 mijë lekë. Pavarësisht kësaj kontradikte në “çmimin” e paguar për bashkëpunimin në krim, akuzat që rëndojnë mbi punëtorin e fermës për grupin hetimor janë të qarta, “fshehje ose asgjësim i kufomës”, “moskallëzim i krimit” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Pas vrasjes dhe hedhjes në pus të kufomës, më 15 gusht, Esmerald Balla ka denoncuar në polici largimin e babait nga banesa dhe ka nisur të vijojë me skenarin e zhdukjes së babait me një grua duke marrë me vete kursimet e familjes në vlerën e 7,5 milion lekëve.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se vrasja nuk ka qenë një akt vetëmbrojtjeje, siç përpiqet ta paraqesë autori, por një ekzekutim i babait që është qëlluar me dy plumba nga pas, një plumb pas koke dhe një në kurriz. Ndërkohë hetimet vazhdojnë me intensitet për të zbuluar nëse ka bashkëpunëtorë të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë.

Një fakt intrigues që pret të marrë përgjigje është dhe kush e solli kasafortën e hapur me gur fresibël disa ditë pas krimit rreth 30 metra në afërsi të banesës. Ishte 25-vjeçari i arrestuar, apo një person tjetër i përfshirë në skenarin e Esmerald Ballës për të zhdukur gjurmët e krimit përmes inskenimit të largimit të papërgjegjshëm të Enverit nga shtëpia bashkë me kursimet e familjes?

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat