Konfiskohet hoteli “Colombo” në Durrës me vlerë 1 mln euro, zbardhet detajet

Durrësi

Konfiskohet hoteli “Colombo” në Durrës me vlerë 1 mln euro, zbardhet detajet

Më: 24 tetor 2024 Në ora: 08:09
Një hotel i njohur në Durrës “Colombo”

Një hotel i njohur në Durrës “Colombo”, me vlerë 1 milion euro u konfiskua me vendim të gjykatës së Durrësit, pasi pronari e ka vënë pasurinë me para të krimit. Pëllumb Tuda ishte vënë në hetim pasuror dhe gjykata thotë se tashmë rezulton e provuar që pasuritë janë vënë përmes veprimtarive kriminale ku ai ka qenë i përfshirë. Sipas vendimit, hoteli nuk i përshtatet nivelit të të ardhurave të deklaruara.

Sipas Prokurorisë, Tuda është dënuar për trafik droge, shfrytëzim prostitucioni dhe armëmbajtje pa leje dhe hotelin në zonën e Plazhit në Durrës e kishte në emrin e tij. “Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës vendosi konfiskimin e pasurisë në emër të shtetasit P.T., pallat, objekt hotel dhe bar në Plazh Durrës, me vlerë 1,000,000 Euro.

Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor për procedimin pasuror nr. 2/2020, regjistruar ndaj subjektit hetimor shtetasit P.T., banues në Plazh, Durrës, rezultoi e provuar se ekzistojnë kushtet ligjore për sekuestrimin e pasurive të luajtshme/të paluajtshme që rezultojnë në emër të të dyshuarit P.T., për këto arsye: Së pari: Ekziston përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se shtetasi P.T., është i përfshirë në veprimtari kriminale të “Pastrimit i produkteve të veprës penale” parashikuar nga neni 287 i K.Penal, “Trafikimi i narkotikëve” parashikuar nga neni 283/a i K.Penal, “Shfrytëzimi i prostitucionit”, parashikuar nga neni 114 i K.Penal dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të zjarrit”, parashikuar nga neni 278 i K Penal, pasi ndaj këtij shtetasi është ngritur akuzë për kryerje të kësaj vepre penale dhe është dënuar me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës. Së dyti: Shtetasi P.T., zotëron drejtpërsëdrejt në emër të tij pasuritë, objekt sekuestrimi.

Shtetasi P.T., përfshihet në rrethin e subjekteve, mbi pasuritë e të cilëve shihen nga dispozitat e Ligjit Antimafia nenet 3/1 dhe 2/a. Së treti: Provohet që vlera e pasurive, objekt sekuestrimi, nuk i përshtatet dukshëm nivelit të të ardhurave, nuk i përgjigjen ndonjë aktiviteti të ligjshëm të deklaruar apo të konfirmuar. Mbi këtë bazë me Vendimin nr. 217, datë 09.06.2020 Gjykata e Shkallës së Parë Durrës ka vendosur: 1.Pranimin e kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës: Konfiskimin e pasurisë së mëposhtme në emër të shtetasit P.T., pasurinë pallat, objekt Hotel + Bar në Plazh Durrës me vlerë 1,000,000 Euro”, njoftoi dje gjykata. Tuda është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare dhe ndaj tij ka pasur denoncime nga një vajzë se është shfrytëzuar për prostitucion në ambientet e hotel “Colombo” që sot u konfiskua. Por hetimi mbi këtë motiv u pushua, pasi në rrethana të dyshimta, vajza tërhoqi dëshmitë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat