Anija “Moliva” me 200 kontenierë që dyshohet se përmbajnë mbetje të rrezikshme, pritet të hyjë në radë në portin e Durrësit mëngjesin e së hënës.
Gazetarja Klodiana Haxhiaj, referuar burimeve nga Dogana, shprehet se kjo është e vetmja anije që transporton mbi 200 kontenierë dhe është e vetmja që vjen në port.
Ndërkohë gjatë ditës së sotme, përfaqësues të PD dhe shoqërisë civile, po protestojnë në hyrjen para portit.
Ata kanë shpalosur një pankartë ku shkruhet “ Mbetjet janë të rrezikshme, qeveria toksike”.
Mbetjet, që dyshohet se janë të rrezikshme, kanë krijuar debate të shumta.
Dërgesat po kthehen nga brigjet e Singaporit. Me origjinë nga Shqipëria, dyshohet se ngarkesa përmban pluhur toksik të furrës së çelikut. Kjo sasi dyshohet se doli nga Porti i Durrësit më 4 Korrik të këtij viti, me destinacion final Tajlandën dhe tranzit Singaporin.
Por fillimisht ngarkesa me mbi 800 tonë peshë, ndaloi në Itali për t’u ndarë në dy pjesë, në anijet e kompanisë ndërkombëtare “Maersk”; respektivisht “Compton” dhe “Candor”.