Festat e fundvitit, fluks i shtuar hyrjesh në Portin e Durrësit

Durrësi

Festat e fundvitit, fluks i shtuar hyrjesh në Portin e Durrësit

Më: 28 dhjetor 2024 Në ora: 11:37
Foto ilustrim

Porti i Durrësit po përballet me një fluks të shtuar udhëtarësh dhe automjetesh gjatë këtyre ditëve, si pasojë e lëvizjeve masive për festat e fundvitit.

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në 8 ditët e fundit, kanë hyrë në vend 25,477 udhëtarë dhe 7,738 automjete. Janë kryesisht anëtarë të diasporës shqiptare që kthehen për të kaluar festat pranë familjarëve në Shqipëri dhe Kosovë, por edhe nga shtetas të huaj që kanë zgjedhur të kalojnë disa ditë pushimesh në vendin tonë.

Për të përballuar këtë fluks udhëtarësh, kompanitë që operojnë linjat detare kanë shtuar kapacitetet e tyre. Tragetet e linjës Durrës-Bari e kthim kanë nisur të kryejnë lundrime të dyfishta gjatë ditës, që nga data 19 dhjetor, ndërsa linja Ankona-Durrës ka shtuar lundrimet mes dy porteve për të plotësuar kërkesën në rritje.

Po pas incidentit që ndodhi në fillim të kësaj jave, njëri prej trageteve të linjës së Barit ka dalë përkohësisht nga shërbimi. Gjatë manovrave të ankorimit në portin e Durrësit, në kushte të motit të keq, njëri prej trageteve dëmtoi helikën e tij duke u përplasur me spirancën e tragetit tjetër që ishte ankoruar më parë në kalatë. Pas kësaj, ai do t’i nënshtrohet riparimeve, ndërsa kompanitë e lundrimit po e menaxhojnë situatën me tragetet në dispozicion.

Sipas Kapitanerisë së Portit të Durrësit, autoritetet portuale kanë marrë masa për të shmangur vonesat dhe për të garantuar shërbim efikas për udhëtarët që zgjedhin të lëvizin përmes portit më të madh në vend.

I njëjti fluks pritet të vazhdojë edhe në ditët e para të janarit, por në kah të kundërt, pasi emigrantët do të kthehen në vendet ku jetojnë dhe punojnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat