Trafiku në Durrës në kolaps, vendosen fasha orare për qarkullimin e automjeteve

Durrësi

Trafiku në Durrës në kolaps, vendosen fasha orare për qarkullimin e automjeteve

Më: 22 janar 2025 Në ora: 14:23
Foto ilustrim

Prej ditësh, trafiku rrugor në Durrës ka arritur nivele kritike, veçanërisht gjatë orëve të pikut në mëngjes dhe pasdite. Për të disiplinuar qarkullimin, Policia Bashkiake ka vendosur kufizime të reja orare për automjetet e tonazhit të rëndë dhe të vogël në rrugët kryesore të qytetit.

Nga data 15 janar deri më 15 maj 2025, automjetet ATP (automjete për transport të përzier) nuk do të lejohen të qarkullojnë në fashat orare 07:00-09:00 dhe 16:00-18:00, nga e hëna në të premte. Për mjetet e tonazhit të rëndë mbi 6.5 ton, qarkullimi do të ndalohet plotësisht dhe do të kufizohet në një itinerar të përcaktuar nga bashkia.

Për të paralajmëruar drejtuesit, janë vendosur sinjale në të gjitha akset hyrëse dhe dalëse të qytetit. Rrugët e prekura nga ky kufizim përfshijnë:

-Rrugët “Adria”, “Stefan Kaçulini”, “Glaukia”, “Hysen Kërtusha”, “Aleksandër Goga” (nga Drejtoria e Policisë deri te Prefektura),

-Bulevardet “Epidamn”, “Egnatia”, “Taulantia”,

-Rrugët “Currilave”, “Mars 91”, “Dëshmorëve” dhe segmentet brenda unazës sipas hartës.

Në zbatim të këtij urdhri, subjektet tregtare duhet të respektojnë oraret dhe sinjalistikën për furnizimet e tyre. Përjashtime bëhen për automjetet e policisë, urgjencës, zjarrfikësve, transportit publik dhe disa institucioneve komunale.

Shefi i sektorit të qarkullimit në Policinë Bashkiake, Ervis Quku, tha për “News24”:

“Masat synojnë të lehtësojnë trafikun e rënduar në Durrës gjatë orëve të pikut. Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve dhe subjekteve tregtare për zbatimin e këtij urdhri, që është në të mirë të të gjithëve.”

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat