Pesë vjet pas shembjes së banesave të tyre për ndërtimin e një rruge të re, dhjetëra familje të zonës së ish-Kënetës në Durrës ndihen të braktisura dhe të pashpresa, ndërsa presin përgjigje nga institucionet për strehimin.
Një pjesë e banorëve protestuan këtë të hënë para Bashkisë Durrës.
“Bashkia na thotë që jemi në rregull me dokumentet dhe na përcjell te FSHZH, te ASHK. Kanë kaluar pesë vite dhe ende nuk kemi një përgjigje. Banesat tona ishin në proces legalizimi dhe me një VKM na u tha se pas prishjes do të merrnim të njëjtën sipërfaqe banimi”.
“Prej pesë vitesh jetoj me qira. Jemi 9 anëtarë, tre prej të cilëve të sëmurë. Kam gjashtë muaj që nuk e paguaj dot qiranë. Ku të shkoj me gjashtë fëmijë? Pronari po na nxjerr jashtë dhe nuk kemi asnjë përgjigje nga institucionet”.
Banorët shprehen të zhgënjyer pasi u ishte premtuar një apartament në lagjen e re në Spitallë, ndërtuar për të dëmtuarit nga tërmeti, por ende nuk kanë marrë një zgjidhje.
Ndërsa premtimet vazhdojnë të mbeten në letër, këto familje përballen çdo ditë me pasigurinë e një strehe dhe mungesën e një përgjigjeje për të ardhmen e tyre.