Do të vendos reciprocitet me Serbinë.
Kështu ka deklaruar kryeministri në detyrë, njëherësh kandidati për kryeministër nga LDK, Avdullah Hoti.
E pas kësaj deklarate pati reagime të shumta, ku Hoti u kritikua se kishte qenë kundër reciprocitetit, të cilin e kishte vendosur kryeministri i asaj kohe, Ramush Haradinaj.
E për këtë, eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, ka thënë për gazetën "Bota sot" se Hoti e ka humbur seriozitetin dhe besimin tek qytetari, derisa reciprociteti ka qenë ndër arsyet e prishjes së koalicionit.
"Kryeministri në largim ka humbur taktin e arsyes, njëherësh duke rezultuar në humbjen e seriozitetit dhe besimit tek qytetari, për faktin që njëra ndër arsyet që e kanë prishur koalicionin ka qenë pikërisht masa e reciprocitetit ndaj Serbisë, duke u arsyetuar që po i prishin marrëdhëniet me SHBA-në, ndërsa tani kur nuk ka as legjitimitet juridik, mundohet të shpreh dozë të patriotizmit duke pretenduar që të ngritë besimin në opinion", është shprehur ai.
Sipas Kadriajt, detyra e tij është të mos ketë anarki institucionale por për veprime çfarë pretendon, nuk ka legjitimitet juridik e aq më pak moral.
"Pra, detyra e kryeministrit në ikje është vetëm të mos ketë anarki institucionale por për veprime çfarë pretendon, nuk ka legjitimitet juridik e aq më pak moral, për faktin që përveç që tradhtuan ish partnerin e koalicionit Lëvizjen Vetëvendosje, njëherësh edhe qytetarin e Kosovës", ka vlerësuar ai.
Kadriaj shton se një sjellje e tillë aspak serioze, do t'i kthehet bumerang në zgjedhjet e shkurtit.
"Si përfundim, një sjellje aspak serioze e kryeministrit aktual do t'i kthehet bumerang në zgjedhjet e shkurtit që sipas sondazheve LDK do pësojë disfatën më të madhe për arsye të ditura dhe të lartcekura", ka deklaruar Mustafë Kadriaj për "Bota sot".