Ani pse dje ka përfunduar afati i fundit për të aplikuar për tërheqjen e 10 për qind të Trustit, ende nuk ka statistika zyrtare nga ky institucion për numrin e atyre që aplikuan dhe për shumën e mjeteve të tërhequr nga Fondi i Kursimeve Pensionale.
Përveç kësaj, zyrtarë të Trustit po e mbajnë të fshehur numrin e ankesave që janë drejtuar në këtë institucion nga qytetarët për rastin e 10 përqindëshit.
KosovaPress mëson se numri i ankesave nga kontribuuesit, siç pretendojnë për diskriminim rreth rimbursimit dhe çështjeve të tjera, është i lartë.
Zëdhënësi i Trustit, Jeton Demi kur është pyetur nga KosovaPress që nga 31 marsi, nuk ka qenë në gjendje të tregojë për shumën e mjeteve të tërhequr dhe për numrin e atyre që kanë aplikuar dhe qe janë ankuar në Trust.
Demi sot ka dhënë një përgjigje të shkurt përmes mesazhit telefonik.
“Jam me disa takime e punë. Statistikat finale për 10% i nxjerrim javën tjetër”, ka thënë shkurt ai.
Ligji për rimëkëmbje ekonomike I miratuar nga Kuvendi, kishte mundësuar kontribuuesve tërheqjen e 10 përqind të kursimeve, që ishte hapur aplikimi më 11 dhjetor 2020 dhe ka përfunduar afati më 6 prill.