Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, në mbledhjen e sotme me 5 vota për dhe një abstenim ka vendosur që në mbledhjen e radhës të votohet raporti i shpenzimeve të RTK-së për periudhën janar-mars 2021, si dhe kërkesa për alokimim e mjeteve për muajt prill-qershor.
Po ashtu, ka miratuar Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për periudhën 2022-2024.
Në këtë mbledhje është diskutuar edhe buxheti për Komunën e Mitrovicës, por që për shkak të mungesës së kuorumit është shtyre për mbledhjen e radhës.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se buxheti për këtë komunë është mbi 20 milionë euro.
"Buxheti për Komunën e Mitrovicës për vitin 2021 dhe arsyeja pse po vije tani është se ky buxhet është miratuar me vonesë në Kuvendin Komunal. Buxheti për këtë komunë për vitin 2021 është mbi 20 milionë euro. Ju kisha lut për aprovimin e kësaj pike të rendit të ditës", tha ai.