(E plotësuar 12:17) - Nën sloganin “çelma derën”, Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka paralajmëruar protesta për ditën e nesërme për të kërkuar lehtësimin e masave. Protesta do të mbahet në ora 18:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi, tha se kanë kërkuar një takim me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia për të diskutuar për lehtësimin e masave, ashtu siç edhe ishin dakorduar, porse kjo nuk ka ndodhur.
Ai tha se më nuk ka kohë për të humbur pasi që numrat e të infektuarve me COVID kanë rënë dhe vera është afruar.
Kllkoqi në konferencën për media të hënën tha se hapja duhet të bëhet tani dhe jo për fushata politike.
Kllokoqi: Me 25 maj do të protestojmë para qeverisë
“Nesër me 25 maj në ora 18:00 kemi ftuar të gjithë gastronomët në sheshin ‘Skënderbeu’ pranë Qeverisë së Kosovës për një protestë ose event ‘pakënaqësie’[...]Kufijtë janë të hapur, masat lehtësues janë krijuar në të gjithë rajonin dhe botën ndërsa ne po vazhdojmë me kufizime. Masat po i’u themi që t’i lirojnë tani kur jemi pranë remitencës dhe pranë ardhjes së diasporës dhe jo kur t’i kanë interesat e veta për fushata politike dhe për zgjedhjet lokale. Nuk është më zgjidhje me prit atë kohë, sepse tani jemi në prag të verës dhe nuk duam ta humbim edhe verën e dytë, dhe shtetet tjera të na marrin diasporën tonë. Jemi duke folur me një kohë ku jemi me më pak se 1 përqind të rasteve, jemi duke folur ku janë diku rreth 20 raste në ditë dhe në një kohë shumë më të relaksuar për hapjen e grastronomisë apo hapjen e verës. Nuk po dalim në protestë për të dëmtuar pronat e shtetit, ne po dalim të bëjmë një protestë apo event pakënaqësie e cila është një e drejtë kushtetuese e jona”, tha Kllokoqi.
Kllokoqi derisa ka ritheksuar kërkesën për hapjen e gastronomisë ka nënvizuar se nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë atëherë do ta hapin vet gastronominë.
Kllokoqi: Ne po i themi qeverisë hape gastronominë ose do ta hapim vetë
“Ne me ministrin Arben Vitia kemi bërë një deklaratë të përbashkët ku u dakorduam se nëse bien numrat do të shkohet rreth rrethanave lehtësuese. Kjo nuk ndodhi dhe e pritëm për 3 javë rreshtazi duke i ftuar e duke i’u thënë që bashkërisht t’i dizajnojmë masat e reja ose të shkojmë drejt hapjes, mirëpo hasëm në vesh të shurdhër, nuk na u përgjigjen. Kështu që neve na mbetët dalja në rrugë e vetmja zgjedhje. Ne edhe njëherë po i themi qeverisë që të hap verën dhe të del me një plan për verën dhe po ashtu të heq orarin, kufizimin[...]nëse nuk e hapin ata ne do ta hapim vetë”, theksoi Kllokoqi.
Aktualisht në vend janë 3 mijë e 631 raste aktive. Ndërsa për dy ditë Kosova nuk ka pasur asnjë rast të vdekjes si pasojë e infektimit me COVID-19
Numri total i rasteve pozitive është 107.244 raste nga 591.824 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.239 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 95 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 101.374 raste.
***
Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka kërkuar lirim të masave dhe heqje të kufizimit të lëvizjes, pasi që sipas saj, numri i rasteve ka rënë dhe se shtetet e tjera të Ballkanit tashmë i kanë hequr ato.
Përmes një konference për media, nga gastronomët u tha se masa për qëndrimin e katër personave në një tavolinë nuk pati efekt dhe se vendet e tjera po organizojnë tubimet dhe koncerte me mbi 4 mijë persona.
“Masat themi t’i lironi tani, e jo kur të kanë interesin e vet, ose jo për fushatat zgjedhore, s’duam të humbim verën e dytë. Jemi në një kohë kur kemi më pak se 1 për qind të rasteve në ditë”, është thënë tutje.
Gastronomët kanë deklaruar se Qeveria aktuale dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kishin premtuar që nëse bie numri i rasteve, sfera e gastronomisë do shkonte drejt lehtësimit të masave. Sipas tyre kjo nuk ngjau dhe se rrugë e vetme është protesta.
“S’po dalim në protestë t’i dëmtojmë pronat e shtetit. Me ministrin Vitia kemi dhënë deklaratë të përbashkët ku u dakorduam që nëse bien numrat, do shkojmë drejt lehtësimit të masave. Kjo nuk ndodhi për tri javë rresht. Kemi thënë që t’i dizajnojmë masat ose t’i lirojmë ato por hasëm në vesh të shurdhër, neve na mbetet të dalim në protestë si zgjidhje e vetme”.