Në shoqërimin e Ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti vizitoi një kompani vendore që traditën e tregtisë e ka trashëguar ndër katër breza.
Kompania vendore që prodhon dyer, dritare, kuzhina e mobile, Ciao Berto, furnizohet nga importi me drurin dhe panelet drusore që përdoren si lëndë e parë. Gjatë bashkëbisedimit me kryeministrin Kurti dhe ministren Hajdari, pronarët e biznesit të familjes Krasniqi u ankuan se në Kosovë nuk ka pasur menaxhim të mirë të pyjeve.
Kryeministri theksoi domosdoshmërinë e ri-orientimit të ekonomisë së Kosovëse drejt prodhimit e eksportit, si dhe drejt zhvillimit të qëndrueshëm, që mbron edhe ambientin.
Kompania ka një sistem të vetqëndrueshëm të resurseve të saj njerëzore teksa vetë i trajnon dhe përgatitë profesionalisht punëtorët në vendin e punës, bëri të ditur pronari z.Ejup Krasniqi.
Ai shtoi se kompania është shpërblyer për respektimin e të drejtave të punëtorëve edhe sigurinë në punë nga organizata që mbështeten nga Komisioni Evropian dhe nga Inspektoriati i Punës.
Kompania eksporton prodhimet e saj në Gjermani, Zvicër, Shqipëri, Hungari dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga menaxhmenti u bë e ditur se për dallim nga viti 2019 kur eksporti ishte vetëm 405 mijë euro, sivjet eksporti ka arritur vlerën e 2.8 milionë eurove.
U theksua se kjo performancë pozitive është në linjë me indikatorët pozitivë ekonomikëqë vendi ynë po shënon gjatë qeverisjes sonë.
Gjatë kësaj vizite u bisedua për angazhimin e Qeverisë për nxitje të investimeve në kapacitete të reja prodhuese e eksportuese, që krijojnë vende pune të qëndrueshme dhe rrisin konkurrueshmërinë e prodhimit vendor.