​Radovanoviq: Politika të mos ketë ndikim në marrëdhëniet ekonomike

Ekonomi

​Radovanoviq: Politika të mos ketë ndikim në marrëdhëniet ekonomike

Më: 4 dhjetor 2021 Në ora: 14:57
Aleksandar Radovanoviq

Përfaqësues të Dhomave të Tregtisë në Serbi deklarojnë se politika nuk duhet të ketë ndikim në marrëdhëniet ekonomike mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Madje, thonë se presin që këto vende t’i bashkohen nismës për “Open Balkan” për të përshpejtuar integrimin në Bashkimin Evropian.

Në katin e parë të Pallatit të Kongreseve në Tiranë për katër ditë radhazi janë prezantuar biznese serbe, në stendat që mbanin mbishkrimin e “Open Balkan”.

Serbia po merr pjesë me mbi 20 kompani të fushave të ndryshme në Panairin Ndërkombëtar të Biznesit në Tiranë. 

Shefi i Qendrës së Diasporës dhe Zyrave Përfaqësuese në Odën e Tregtisë dhe Industrisë së Serbisë, Aleksandar Radovanoviq për KosovaPress thotë se për ekonominë e Serbisë është i rëndësishëm bashkëpunimi me Shqipërinë.

Radovanoviq: Ne marrin pjesë me mbi 22 kompani

“Ne këtu marrim pjesë me mbi 22 kompani, përndryshe kemi marrëdhënie të mira tregtare me Shqipërinë dhe kemi bashkëpunim të mrekullueshëm me partnerët shqiptarë dhe gjithë herë e më shumë është interes nga të dyja palët për bashkëpunim. Tani do të jemi këtu në Tiranë për herë të 16-të. Kemi njoftime se Shqipëria duhet të marrë pjesë në panairin e bujqësisë në Novi Sad dhe ata do të sjellin delegacionin e tyre të biznesit në mënyrë që edhe kur shikojmë shifrat 48% është rritur eksporti i Shqipërisë në Serbi dhe 28% i Serbisë në Shqipëri”, thekson ai.

Në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës që ka nisur të mërkurën në Pallatin e Kongreseve, anëtari i Dhomave të Tregtisë në Serbi thotë se po përfaqësohen me kompani të sektorit të industrisë ushqimore, elektro-metaleve dhe mobilierisë nga druri.

Edicioni i 27-të i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës përcillet me sloganin "Një Ballkan i vetëm, Ballkan më i fortë".

Radovanoviq: Shpresojmë që vendet në rajon do i bashkohen kësaj nisme që përshpejton integrimin në BE

“Pak më parë e ceka se të gjithë jemi të drejtuar nga njëri-tjetri që politika të ketë sa më pak ndikim në marrëdhëniet ekonomike, që ekonomia të bashkëpunojë pa kufi, se duhet t'i heqim kufijtë për biznese për të mundësuar rritje dhe zhvillim për të gjithë siç është edhe slogani ynë i këtij viti[...]Ballkani i hapur do t’ju sjellë bizneseve jo vetëm në Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë afarizëm të shpejtë dhe më efikas, dhe shkëmbimin e fuqisë punëtore, por shpresojmë se do t'u mundësojë ekonomive të tjera në rajon të bëjnë të njëjtën gjë, sepse shpresojmë që edhe ato do ti bashkohen kësaj nisme e cila e përshpejton integrimin në Bashkimin Evropian”, deklaron ai për KosovaPress.

Për herë të parë në këtë panair marrin pjesë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky është edicioni i 27-të dhe organizohet nga Klik Ekspo Group. Në panairin më të madh ndërkombëtar të biznesit i cili është hapur të mërkurën, kanë marrë pjesë mbi 200 kompani të ndryshme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat