Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të performancës “Projektet e financuara nga Granti i Performancës Komunale SDC/DEMOS për vitin fiskal 2020”. Granti është bashkëfinancuar nga Fondacioni Zviceran në Kosovë/Projekti për Decentralizim dhe Përkrahje të Komunave.
Qëllimi këtij auditimit ka qenë që të vlerësojë nëse shpenzimet dhe menaxhimi i projekteve kapitale të Grantit të Performancës Komunale janë në harmoni me kërkesat e donatorëve dhe nëse kanë arritur rezultatet e synuara. Subjekt i auditimit kanë qenë komunat: Pejë, Gjakovë, Mitrovicë e Jugut dhe Kllokot.
Auditimi ka konkluduar se komunat në përgjithësi kanë aplikuar rregullat në fuqi ndërsa Granti i Performancës Komunale i ka ndihmuar komunat në arritjen e objektivave strategjike. Ai ishte në funksion të qëllimit për të ofruar shërbime më të mira të infrastrukturës komunale për qytetarët.
Megjithatë menaxhimi i projekteve dhe fondeve nga Granti ka nevojë për vëmendje më të madhe duke filluar nga vendosja e prioriteteve, realizimi i projekteve dhe rezultatet e arritura.
Rezultatet e këtij auditimit tregojnë se procesi i prokurimit ende ka hapësirë për përmirësim në disa aspekte siç janë: përfshirja e projektit në planin e prokurimit publik, përllogaritja e përafërt e vlerës së parashikuar të kontratës, evidentimi i pozicioneve të ndryshuara dhe trajtim i drejtë i operatorëve ekonomik në proceset tenderuese.
Po ashtu gjysma e projekteve të audituara nuk ishin realizuar me kohë dhe nuk janë në shfrytëzim të plotë nga qytetarët. Arsyet për vonesa në realizimin e projekteve ndërlidhen me mos shpronësimet me kohë të pronave private dhe pengesat për shkak të zhvillimit të dy projekteve në kohë dhe zonë të njëjtë.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, lidhur me këtë auditim ka vlerësuar se Granti i Performancës Komunale në përgjithësi i ka ndihmuar komunat në arritjen e objektivave strategjike duke ju ofruar qytetarëve projekte në lokacione të favorshme dhe qasje të lehtë në shfrytëzimin e tyre. Megjithatë mungesa e efikasitetit në realizimin e kontratave dhe mangësitë tjera të identifikuara zbehin rëndësinë e projekteve dhe pengojnë maksimizimin e përfitimit nga Granti i përcaktuar.
Zyra Kombëtare e Auditimit i ka rekomanduar komunat e audituara që të forcojnë procesin e menaxhimit të projekteve nga Granti i Performancës Komunale, duke filluar me planifikimin e duhur dhe me kohë të prokurimit deri te forcimi i kontrolleve për menaxhimin e kontratave duke siguruar realizimin e tyre sipas kushteve dhe specifikave të kontraktuara.