Aleanca Kosovare e Biznesit ka mirëpritur votimin e Ligjit për Gjykatën Komerciale.
Nënkryetari i kësaj organizate, Suad Berisha, ka thënë se ka një rrugë që kjo gjykatë të ketë sukses në zgjidhjen e kontesteve biznesore.
“Në të kaluarën kemi pasë Gjykatën Ekonomike. Çfarëdo riorganizimi ose tash e Gjykatën Komerciale problemi kryesor është mosefikasiteti i funksionimit të gjyqësorit. Qeveria duhet të ndërmarrë reforma thelbësore këtë drejtim. Duhet të stimulohen gjyqtarët për çdo lëndë dhe varësisht nga numri i lëndëve të zgjidhura të jetë kompensimi”, është shprehur Berisha.
Ai ka folur edhe për ndikimin që Gjykata Komerciale mund të ketë në shtimin e investimeve të huaja.
“Me këtë legjislacion në fuqi, sidomos me Ligjin e Investimeve Strategjike, kjo gjykatë nuk do të ketë sukses ngase me ligjin nuk ka lehtësira direkte për investitorët e huaj, siç ndodhë në Maqedoni të Veriut apo Serbi”.
Me tej ai ka treguar se janë dy mijë e 260 lëndë që presin që zgjidhen në Gjykatën Komerciale.