Lufta në Ukrainë pritet të sjellë krizë të madhe botërore, përfshirë edhe atë ekonomike.
Vetëm në ditët e para të saj çmimi i naftës është rritur shumë, dhe pritet të shkoj në mbi 140 dollarë, po ashtu është rritur çmimi i arit, metaleve etj përfshirë edhe të prodhimeve bazike ushqimore, ndërsa vlera e Bitcoin-it ka rënë fuqishëm.
Mirëpo, përveç kësaj është paralajmëruar se vlera e investimeve në Trust do të ketë rënie, pasi vlerësohet se Fondet investimeve janë të rrezikuara.
Ekonomistët për gazetën “Bota sot” komentojnë këtë krizë të krijuar si pasojë e luftës në Ukrainë, derisa edhe ata bënë thirrje që të lejohet tërheqja e një pjesë të parave të Trustit.
Limani: Mjetet e Trustit dhe të fondit të privatizimit duhet kthyer në sistemin bankar të Kosovës
Ekonomisti, Musa Limani në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi krizën e madhe ekonomike që ka përfshirë jo vetëm Kosovën, por të gjithë botën.
Musa Limani
Krahas kësaj, ai thotë se shkaku i kësaj krize mund të bie vlera e aksioneve dhe mjeteve të Trustit, me ç’rast mund të dëmtohen kontributdhënësit.
“Në ketë krizë ekonomike që e ka përfshi ekonominë botërore, është rrezik që të devalvohet, përkatësisht të bie vlera e aksioneve dhe në këtë mënyrë të humbet vlerë e konsiderueshme e këtyre mjeteve, me ç' rast do të dëmtohen kontributdhënësit”, deklaroi ekonomisti.
Më pas, Limani u shpreh se mjetet në Trust janë të punëtorëve të Kosovës dhe ato duhet vetëm të shfrytëzohen për zhvillim ekonomik të vendit.
“Mjetet e Trustit janë mjete të punëtorëve tanë dhe ato duhet të hyjnë në funksion për zhvillimin ekonomik e shoqëror të Kosovës, e jo të vendeve ku ato janë të deponuara. Andaj, ky është një absurditet, dhe nga logjika ekonomike i papranueshëm”, vlerësoi ai.
Në fund, ekonomisti përmendi një tezë të tij në lidhje me mjetet e Trustit dhe fondit të privatizimit.
“Unë që nga Pavarësia e Kosovës, zhvilloj tezen se, mjetet e Trustit dhe të fondit të privatizimit duhet kthyer në sistemin bankar të Kosovës, pa ia ndryshuar destinimin, me ç' rast do të rritet tregu i kapitalit dhe bankat komerciale, do të kenë mundësi të akordojnë kredi me kushte më të volitshme. Në këtë mënyrë këto mjete do të hyjnë në funksion të zhvillimit ekonomik e shoqëror të Kosovës”, përfundoi Musa Limani për “Bota sot”.
Kadriaj: Institucionet tona duhet të përkrahin qytetarin duke i tërheq mjetet e Trustit
Ndërsa, ekonomisti tjetër, Mustafë Kadriaj në prononcimin e tij për “Bota sot” në momentin që investohen parat e Trustit në tregjet financiare, rritet rreziku për humbje.
Mustafë Kadriaj
“Në momentin që investohen mjetet e Trustit në tregjet financiare krahas fitimit është normale që e merr edhe rriskun, kështu që kjo kohë është potenciale për të humbur. Se sa do të mbrohen, lënë shumë për të dëshiruar sepse ato nuk mundesh me i tërheq kurdo dhe janë të atakuar nga rreziku”, theksoi Kadriaj.
Krahas kësaj, ai deklaroi se institucionet duhet t’i përkrahin qytetarët, përmes lejimit të tërheqjes së mjeteve të Trustit, pasi do të rriten të hyrat në arkën e shtetit.
“Institucionet tona në vend që të përkrahin qytetarin duke i tërheq mjetet e Trustit ku do kishte të dy anët e medaljes duke i mbrojtur mjetet e kursyera njëherit do të rritej fuqia blerëse, e rrjedhimisht do të rritej qarkullimi tregtar dhe ekonomik duke bërë që të rriten edhe të hyrat në arkën e shtetit”, nënvizoi ekonomisti.
Ndër të tjera, Kadriaj paralajmëroi rënie të mjeteve të Trustit në tregjet financiare për shkak të konfliktit Ukrainë-Rusi.
“Si përfundim institucionet tona nuk përkrahin qytetarin, po ashtu nuk i japin mundësi që të shfrytëzojnë djersën e vet të kursyer derisa mjetet e Trustit janë të ekspozuara nga rënia e tyre në tregjet financiare si rezultat i konfliktit Ukrainë-Rusi që do të kenë ndikimin e vet ekonomik me theks të veçantë, tregjet financiare”, përmbylli Mustafë Kadriaj për “Bota sot”.