Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) njofton bizneset dhe opinionin publik se ueb faqja zyrtare e OAK-së odaeafarizmit.org është sulmuar nga hakerë të panjohur deri më tani dhe shpresojnë që shumë shpejt do ta kthejnë në gjendjen e rregullt të saj.
Në njoftim thuhet se OAK për momentin e ka të pamundur postimin dhe vendosjen e aktiviteteve të rregullta.
Në rast të kërkimit në Google të ueb faqes sonë, e njëjta shfaqet në një gjuhë të huaj aziatike. Deri në momentin e rikthimit çdo gjë që postohet në ueb faqen tonë nuk është përgjegjësi e odës! Kjo si duket ka ardhur pas reagimit të Odës së Afarizmit të Kosovës për bojkotin e produkteve të Rusisë dhe aleatëve të saj, ku para disa ditëve OAK i është bashkuar fushatës botërore, evropiane dhe Republikës së Kosovës për mbështetje të Ukrainës duke i kërkuar bojkotimin e produkteve të atyre që janë duke kryer gjenocid ndaj popullit të Ukrainës dhe atyre që janë duke e përkrahur Rusinë siç është Serbia, duke kërkuar nga BE, SHBA-të dhe vendet e tjera, vendosjen e sanksioneve edhe për Serbinë.
OAK do të njoftojë me kohë në momentin që bëhet rikthimi i ueb faqes, përfundon njoftimi.