Pas propozimit të Qeverisë së Kosovës që paga minimale në Kosovë të jetë 264 euro ka reaguar Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), që mbrojnë propozimin e tyre që paga minimale të mos jetë nën 300 euro.
Në njoftimin e BSPK, thuhet se Këshilli Ekonomiko-Social (KES) sot ka mbajtur takimin e radhës nën kryesimin e kryetarit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës – BSPK-së, Atdhe Hykolli.
“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës – BSPK, përfaqësuesi i Federatave Sindikale, bazuar në mekanizmat profesionalë mbron propozimin që paga minimale të jetë jo më e vogël se 300 euro. Llogaritjet paraprake dhe indikatorët ekonomiko realë tregojnë se një pagë minimale në vlerën 300 euro është e arsyeshme dhe reale”, thuhet në njoftim.
Më tej thuhet se Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës pret që partneri social – Qeveria të pranojë këtë propozim të arsyeshëm për lartësinë e pagës minimale të sivjetme.
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar sot se është propozuar që paga minimale të jetë 264 euro në muaj, por se nuk është miratuar nga përfaqësuesit e sindikatave.
Murati me anë të një shkrimi në Facebook ka theksuar se ky mos-votim do t’i lë punëtorët e sektorit privat me pagën minimale ekzistuese.
Ndryshe kohë më parë kryetari i Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se nuk do të pranojnë pagë minimale nën 400 euro.