Ekonomia në gjithë botën ka filluar të ketë pasoja nga lufta tashmë më shumë se trijavëshe në Ukrainë.
Një lëvizje e tillë e Rusisë në shtetin e Ukrainës, ka arritur të ketë vëmendjen e gjithë botës dhe të sjellë destabilizim të ekonomisë europiane, dhe në Kosovë.
Padyshim që kjo krizë ka kapluar edhe Kosovën, duke sjellur rritje çmimeve nga nafta e deri tek produktet ushqimore.
Ani pse qeveria po vazhdon të merr masa për parandalimin e rritjes së çmimeve.
Ajo që po merr vëmendjen është rritja e përnjëhershme e naftës, duke sjellur kështu pakënaqësi në gjithë vendin tonë, pasi shtrenjtimi i saj po shfrytëzohet për rritjen e çmimeve në mënyrë zinxhirore.
Aktualisht, çmimi i një litre naftë në vend kushton rreth 1.5 euro, por gjatë javëve që po lëmë pas ka qenë deri në 1 euro e 80 centë.
Por, ky shtrenjtimi ndodhi në kohën që nafta në bursë u rrit mbi 130 dollarë për fuqi, ndërsa, në ditët e shkuara ra në 94 dollarë për fuqi, ndërsa në ditët në vazhdim deri të premten arriti në rreth 103 dollarë për fuqi. Por, pavarësisht që çmimi ra për më shumë se 30 % në bursë, në pikat e naftës në Kosovë, ai nuk ra më shumë se 10-15%.
Shtrenjtimi kishte vazhduar edhe në Shqipëri e Maqedoni të Veriut.
Kreu i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani ka thënë se kjo rritje vjen për shkak të tregjeve ndërkombëtare, por thekson se Kosova i ka çmimet më të ulëta në rajon.
“Në tregjet ndërkombëtare çmimet janë duke u rritur në mënyrë ekstreme dhe kjo po reflekton edhe tek ne në Kosovë. Nuk ka vështirësi gjatë importit, sepse importi është në nivel. I vetmi problem është çmimi i lartë i naftës sepse rëndon qytetarët por këtu nuk e përcaktojmë ne çmimin por është në pyetje vetëm BERZH”, deklaron Berjani.
Bazuar në një infografikë të publikuar, nafta në Ballkan kushton më së liri në Bosnjë e Hercegovinë, derisa më së shtrenjti në Greqi.
Mirëpo, të bindur që kjo krizë po keqpërdorët nga naftëtarët, edhe shifrat që tregojnë se nafta edhe pse është blerë më çmim më të lirë është shitur më shtrenjtë.
Ndikimi i krizës nga lufta në Ukrainë me Rusinë, do të jetë në vazhdimësi, edhe pasi të jetë arritur paqja, sado që të vonojë apo të arrihet shpejt ajo.
“Ndikimet negative si rezultat i mungesës së nikelit, aluminit, kontrollit të rreptë të naftës nga OPEC, reduktimi global i eksportit të automjeteve për 60 mijë në muaj, humbja e hambarit (Ukraina) nga harta globale e prodhimit të drithërave - gjitha këto do të shkaktojnë recesion, mungesë të CaSH në ekonomi si edhe potencial i madh i humbjeve enorme në bursa përgjatë këtij viti dhe në vitin tjetër”, shkruan ish-bankieri Emanuel Bajra.
Por, ka disa mundësi të ndërhyrjes së shtetit, përveç parandalimit të spekulimit të çmimit, edhe në marrjen e masave, që kanë të bëjnë me ndryshimin e politikave fiskale.
Limani: Çmimet e naftës të mos dëmtojnë qytetarët
Në lidhje me këtë temë profesori i ekonomisë, Musa Limani në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh që duhet ta nxjerrin një çmim mesatar kushtues që të mos dëmtohet qytetari në këtë rast.
Musa Limani
“Me ketë rast paraqitet si problem në vete, si do të shitet sasia e naftës që është blerë me çmime të mëparshme. Andaj, sipas logjikës ekonomike, duhet të nxjerrin një çmim mesatar kushtues në mes rezervave të formuara me çmimet e larta të furnizimit me ato të tanishmet me çmime më të ulëta dhe të nxirret një çmim mesatar kushtues dhe shitës”, foli profesori.
Më tej, Limani thotë që duhet gjithashtu të jetë një çmim i dobishëm edhe për naftëtarët, në mënyrë që të dyja palët të jenë të kënaqur.
“Ky çmim do të jetë më i ulët se çmimi i tanishëm, që do të jetë në dobi të konsumatorëve dhe në këtë mënyrë do të mbulohen edhe naftëtarët. Kjo do të ishte një zgjidhje, sipas logjikës pragmatike ekonomike për momentin”, u shpreh Limani për “Bota sot”.
Burjani: Të dënohen subjektet ekonomike që rriten çmimet
Ndërsa, juristi Blerim Burjani në lidhje me anën ligjore të dënimeve, thotë për “Bota sot” që këto marrëveshje kanë qenë të kundërligjshme dhe që e ndalon ligji i konkurrencës.
Blerim Burjani
“Po në mënyrë të kundërligjshme janë bërë marrëveshje. Fillimisht ka filluar me bukën, pastaj me naftën, vajin, sheqerin, miellin dhe të gjitha produktet, kryesisht për përfitime pa bazë, me rritje të çmimeve me marrëveshje që e ndalon Ligji për konkurrencë”, thotë ai.
Ndër të tjera juristi thotë që duhet të ndërmerren masa në mënyrë që të mos dëmtohen qytetarët dhe të ndëshkohen të gjitha subjektet ekonomike që kanë shkelje të ligjeve.
“Kodi penal vepron kur flitet për pasurim pa bazë. Çmimet duhet të kthehen ashtu siç ishin para dy muajve, inspektorati dhe policia, Autoriteti i Konkurrencës duhet të dal në terren dhe t’i ndëshkojë të gjitha këto subjekte ekonomike që kanë bërë shkelje të ligjeve”, përfundoi Burjani për “Bota sot”.