Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ditë më parë ka nxjerrë në konsultim publik Projektligjin për plotësim/ndryshimin e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorëve. Ligji që aktualisht është në fuqi, nuk e përfshin blerjen online, por kjo fushë mbulohet nga neni 37 për kontratat në distancë dhe jashtë objektit afarist.
Nijazi Shala, drejtor i Departamentit për Mbrojtje të Konsumatorit në kuadër të MINT-it në emisionin “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se me projektligjin e ri do të përfshihet edhe blerja online.
“Gjithçka çka blihet jashtë objektit afarist dhe në distancë që ka qenë, që nuk është përmend saktë internet, tash gjithçka e ka edhe blerjen në internet”, ka thënë ai.
Ndërsa, Fatbardha Restelica nga platforma “Mbrojtësit e Konsumatorëve”, potencoi se janë duke e analizuar projektligjin, teksa tregoi se çka duhet të përfshijë i njëjti.
“Është shumë me rëndësi që të përfshihet në formën e ardhshme të ligjit komplet direktiva e Bashkimit Evropian për blerjet online, edhe të njëjtat të bëhen të implemetueshme. Sepse pastaj po mungon edhe buxhetimi i implementimit të ligjit nga institucionet përkatëse. Ne po avokojme që kjo të përfshihet komplet, e cila me pastaj do e rregullonte blerjet online edhe do i detyronte edhe institucionet tjera të bëjnë më shumë në këtë drejtim, që t’i detyroi bizneset ilegale të fiskalizohen”, ka theksuar Restelica.
Sipas saj, rritja e gjobave ndaj personave që bëjnë tregti ilegale dhe aktivizimi më i madh i Policisë do ta rregullonte këtë treg.