Kalimi me përparësi në pikat kufitare të Shqipërisë, më pak kontrolle, shmangie të dërgimit të dyfishtë të dokumenteve dhe verifikimeve dhe një sërë përfitimesh të tjera janë ato që program i ri i Shërbimit Doganor Shqiptar u mundëson operatorëve ekonomikë. Kjo do të thotë një "certifikatë cilësie/status të veçantë", të njohur ndërkombëtarisht, që tregon angazhimin e tyre ndaj sigurisë në zinxhirin ndërkombëtar të furnizimit, si dhe u jep të drejtën për një trajtim preferencial doganor.
Shqipëria është vendi i katërt në CEFTA që validon programin e saj kombëtar të operatorëve ekonomikë të autorizuar dhe njohja reciproke midis këtyre programeve në rajon, do të thotë se operatorët shqiptarë, përveç përfitimeve të ofruara nga Administrata e tyre Doganore do të kenë gjithashtu përfitime më të mëdha në vendet e CEFTA-s
Statusi i Operatorit Ekonomik të Autorizuar (OEA), është një masë e rëndësishme e lehtësimit të tregtisë, mjaft e shpeshtë në praktikën tregtare Evropiane. Ajo po bëhet gjithashtu një masë e preferuar edhe në tregtinë mes vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Qeveria shqiptare prej kohësh ka realizuar një analizë standarde përfitime-kosto, që është një ‘auditim’ i kapaciteteve të biznesit për marrjen e statusit të Operatorit Ekonomik të Autorizuar, Ndër përfitimet nga marrja e statusit të OEA ose/statusit të zhdoganimit lokal janë kursimi i kostove për pagesën e agjencisë doganore, evitimi i kostove të parkimit, reduktimi i kostove kohore dhe përfitime nga rritja e kënaqësisë së klientëve.
Përfitimi i llogaritur për çdo vit nga marrja e statusit të zhdoganimit lokal është 46,270€ (ose rreth 4 mijë € për çdo muaj), ndërsa përfitimi i llogaritur për çdo vit nga marrja e statusit të OEA është 58,270€ (ose rreth 5 mijë € për çdo muaj). Pjesa dërrmuese e këtyre kursimeve, mbi 90%, vjen nga evitimi i shpenzimeve për agjencinë doganore dhe, pjesa tjetër, nga kursimi i shpenzimeve për parkingun në doganë.
Vitet e fundit Dogana Shqiptare ka punuar intensivisht për hartimin e Dispozitave Zbatuese për Kodin Doganor, duke synuar jo vetëm përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së, por dhe futjen e procedurave të reja të parashikuara prej tij, të cilat nënkuptojnë nevojën për një bashkëpunim më të madh në binomin Doganë – Biznes.
Shqipëria ka përafruar gjerësisht legjislacionin doganor me acquis e BE-së në fushën doganore dhe ka avancuar gjithashtu me zbatimin e programit të Operatorëve Ekonomikë të Autorizuar (OEA), duke autorizuar 8 operatorët e parë ekonomikë në vitin 2021 dhe 4 të tjerë në vitin 2022.