Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka pritur sot drejtoreshën e Zyrës Tregtare të Odës Ekonomike Austriake në Kosovë, Vjosa Huruglica Vranovci, me të cilën kanë biseduar për hapa konkretë të bashkëpunimit në mes të dy dhomave për përkrahjen e bizneseve të dy vendeve.
Është diskutuar edhe për ndihmën që Oda Ekonomike e Austrisë do të japë për reformimin e Odës Ekonomike të Kosovës, e që parashihet edhe me protokollin e nënshkruar në mes dy qeverive, asaj të Kosovës dhe asaj të Austrisë.
Sipas njoftimit thuhet se, do të ketë mbështetje për investitorët austriakë në Kosovë, por edhe anasjelltas.
Komunikata e plotë:
Prishtinë, 15 gusht – Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka pritur sot drejtoreshën e Zyrës Tregtare të Odës Ekonomike Austriake në Kosovë, Vjosa Huruglica Vranovci, me të cilën kanë biseduar për hapa konkretë të bashkëpunimit në mes të dy dhomave për përkrahjen e bizneseve të dy vendeve.
Ndihma për certifikimin e prodhimeve Kosovare në standardin TUV është një nga zotimet e dala nga ky takim, si dhe zotimi për përkrahjen e investitorëve nga të dyja shtetet në realizimin e investimeve të tyre.
Pikë tjetër që u diskutua ishte edhe ndihma e Odes Ekonomike të Austrisë për reformimin e Odës Ekonomike të Kosovës, që parashihet edhe me protokollin e nënshkruar në mes dy qeverive, asaj të Kosovës dhe asaj të Austrisë.
“Përkrahja e Zyrës Tregtare Austriake ka qenë shumë e rëndësishme, edhe për bizneset kosovare, edhe për vet Odën Ekonomike të Kosovës”, u shpreh Kryetari Rafuna.
“Me përkrahjen e Zyrës Tregtare Austriake do të ndihmohen prodhuesit kosovarë duke ndihmuar që prodhimet e tyre të marrin certifikatën TUV Austria”, u shpreh Kryetari Rafuna dhe shtoi “se kjo është përparësi e madhe për prodhuesit Kosovarë”.
“Gjithashtu, e mirëprita gatishmërinë e Kryetares Huruglica që të përkrah Odën në procesin e reformave të brendshme, që ky institucion të jetë në gjendje t’u ndihmojë bizneseve të Kosovës”, përfundoi Kryetari Rafuna.
Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se është e rëndësishme që të punojnë së bashku për t’u dhënë mbështetje investitorëve austriakë në Kosovë, por edhe anasjelltas dhe shprehën gatishmërinë që të thellojnë bashkëpunimin në mes dy institucioneve.