​Nis procedura kundër ndërmarrjes serbe MTS

Ekonomi

​Nis procedura kundër ndërmarrjes serbe MTS

Më: 5 dhjetor 2022 Në ora: 12:21
Foto ilustrim

Autoriteti i Konkurrencës i Kosovës njofton, se më datën 25.11.2022 Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës ka nxjerrë konkluzion për fillimin e procedurës kundër ndërmarrjes MTS D.O.O. (Telekomi Mobil i Serbisë)

Autoriteti ka analizuar kushtet e tregut të konkurrencës, dhe duke vepruar sipas detyrës zyrtare, ka zhvilluar shqyrtimin paraprak të vlerësimit të përqendrimit, lidhur me dyshimin e arsyeshëm se MTS D.O.O., e cila operon në tregun përkatës, të ofrimit të shërbimeve të internetit dhe atë kabllor në territorin e Kosovës, ka realizuar shitblerje të aksioneve në tregun përkatës, duke fituar kontrollin mbi ndërmarrjet tjera, për të cilat përmbushet detyrimi ligjor për njoftimin e përqendrimit sipas ligjit për mbrojtjen e konkurrencës.

Autoriteti njofton, se transaksionet/blerjet nëse janë realizuar, pa e dorëzuar njoftimin e detyrueshëm për qëllimin e përqendrimit sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, paraqet formë të kufizimit ose shtrembërimit të konkurrencës nga ndërmarrjet në territorin e Kosovës ose jashtë territorit, nëse veprimet e tyre kanë efekt në tregun e Kosovës.

Kontrolli i bashkimeve synon të parandalojë shtrembërimet e konkurrencës dhe synon të parandalojë efektet antikonkurruese përpara se ato të ndodhin (ex ante), thuhet më tej në njoftim.

Autoriteti njofton se fillimi i procedurës për hetimin e çrregullimit të konkurrencës, ka për qëllim sqarimin e fakteve dhe në këtë mënyrë vërtetimin e shkeljes së pretenduar.

AKRK do të marrë vendimin e saj meritor bazuar në faktet e vërtetuara të rastit dhe do të mbajë të informuar opinionin dhe qytetarët të cilët marrin shërbime nga ndërmarrja MTS D.O.O.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat