Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka thënë të enjten se sipas vlerësimeve të BQK-së, rritja ekonomike në vitin 2022 pritet të shënojë rritje të ngadalësuar prej 3 deri 4 për qind, kryesisht për shkak të tkurrjes së kërkesës së brendshme dhe rritjes së importit, ndërsa eksportet kanë ndikuar pozitivisht.
Në konferencën e fundvitit, guvernatori Mehmeti tha se gjatë vitit 2022, ndryshimi i dinamikave globale si pasojë e agresionit në Ukrainë, që u shoqëruan me rritje të inflacionit, ndryshim të politikave monetare dhe rritje të normave të interesit dhe ngadalësim të rritjes së tregtisë botërore si rezultat i ndërprerjeve të zinxhirit të furnizimit, u reflektua edhe në aktivitetin ekonomik në Kosovë.
Mehmeti: Rritja ekonomike për këtë vit pritet të jetë 3 deri 4 për qind
“Ekonomia e Kosovës e filloi vitin 2022 me një perspektivë të mirë si rezultat i vitit të suksesshëm që ishte viti 2021, e që u karakterizua me një rritje prej 10.75 për qind. Megjithatë gjatë vitit 2022 ndryshimi i dinamikave globale si dhe si pasojë e luftës në Ukrainë u shoqërua me rritje të inflacionit, ndryshim të politikave monetare, rritje të normës së interesit dhe ngadalësim të rritjes së tregtisë botërore si rezultat i ndërprerjes së furnizimit e që u reflektuan në aktivitetin ekonomik në nivel global e gjithashtu edhe në Kosovë. Si rezultat i kësaj, sipas vlerësimeve të Bankës Qendrore të Kosovës, në këtë vit parashikimet tona janë që rritja ekonomike në vend të jetë 3 deri 4 për qind, e që është e ngjashme me parashikimet që jep edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar”, theksoi Mehmeti.
Guvernatori Mehmeti se viti 2022 ka shënuar një ritëm më të shpejtë të rritjes edhe për remitancat e dërguara nga diaspora në Kosovë. Sipas Mehmetit, vlera e remitancave të pranuara deri në fund të muajt tetor 2022, është 1 miliard euro, që paraqet rritje vjetore 5.5 për qind.
Mehmeti: Remitancat kanë arrit në 1 miliard euro
“Shpenzimet e jo-rezidentëve që kanë arrit vlerën 1.48 miliard euro apo me një rritje vjetore prej 26.1 për qind. Kur flasim për shpenzimet e jo-rezidentëve, këto gjithmonë mund t’i quajmë si shpenzimet të diasporës. Po ashtu në vitin 2022 edhe remitancat kanë arrit në 1 miliard euro apo me një rritje vjetore prej 5.5 për qind”, theksoi ai.
Rritja e kërkesës së brendshme në Kosovë gjatë këtij viti është reflektuar në një vlerë më të lartë të importit të mallrave, i cili deri në shtator 2022 ka shënuar vlerën 4.15 miliardë euro apo një rritje vjetore prej 24.6 për qind.
Në anën tjetër, sipas Mehmetit, eksporti i shërbimeve deri në shtator 2022, shënoi vlerën prej 2.05 miliardë euro, duke shënuar një rritje vjetore prej 32.8 për qind, që ka ndodhur kryesisht si rezultat i rritjes së vizitave të bashkatdhetarëve tanë dhe turistëve në vend.
Mehmeti: Importi i shërbimeve deri më shtator regjistroi vlerën prej 901 milionë euro
“Me rritje u karakterizua edhe importi i shërbimeve që deri më shtator 2022 regjistroi vlerën prej 901 milionë euro. Pra gjithsej importet e mallrave dhe shërbimeve deri në muajin shtator të këtij viti janë në shumë prej 5.05 miliardë euro, ndërsa eksportet e mallrave dhe shërbimeve janë në shumë rreth 2.7 miliardë euro që është eksporti në total”, tha Mehmeti.
Gjithashtu, Mehmeti tha se sa i përket investimeve të huaja direkt, vlera e tyre deri në shtator 2022, arriti në 567 milionë euro, në krahasim me vlerën prej 395 milionë euro të regjistruar deri në shtator 2021.