BQK dhe Korporata Financiare Ndërkombëtare nënshkruajnë marrëveshje për avancimin e shërbimeve financiare digjitale

Ekonomi

BQK dhe Korporata Financiare Ndërkombëtare nënshkruajnë marrëveshje për avancimin e shërbimeve financiare digjitale

Më: 20 gusht 2024 Në ora: 15:29
Foto nga vendi i ngjarjes

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili dhe Nicolas Marquier, Menaxher Rajonal për Ballkanin Perëndimor në Korporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC), anëtare e Grupit të Bankës Botërore, kanë nënshkruar Marrëveshjen e Bashkëpunimit për avancimin e Shërbimeve Financiare Digjitale në vendin tonë. Ky partneritet është në harmoni me Planin Strategjik të BQK-së, i cili ka për qëllim avancimin e digjitalizimit, modernizimin e proceseve dhe infrastrukturën e tregut, në përputhje me Projektligjin për Shërbimet e Pagesave.

Në komunikatë thuhet se me anë të kësaj Marrëveshjeje, IFC-ja do të mbështesë BQK-në në zhvillimin dhe avancimin e një ekosistemi të qëndrueshëm financiar digjital, i cili jo vetëm që adreson nevojat e tregut vendor, por edhe përputhet me standardet evropiane. Kjo iniciativë është në kuadër të Projektit të Shërbimeve Financiare Digjitale dhe Financave Digjitale të Evropës Qendrore dhe Lindore të IFC-së, i cili ofron shërbime këshilluese për të promovuar rritjen dhe zhvillimin e shërbimeve financiare digjitale në Republikën e Kosovës. Projekti financohet nga Sekretariati Shtetëror i Zvicrës për Çështje Ekonomike (SECO), që ka për synim promovimin e rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme në vendet partnere.

Për më tepër, ky projekt ka për qëllim të mbështesë përmirësimin e kuadrit rregullator dhe infrastrukturës digjitale për të mundësuar rritjen e sektorit të shërbimeve financiare digjitale (DFS) dhe për të lehtësuar dialogun publiko-privat brenda sektorit. Një aspekt i rëndësishëm i projektit është përafrimi i palëve të interesuara publike dhe atyre private përmes aktiviteteve të shkëmbimit të praktikave dhe të një platforme publiko-private.

"Kjo Marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm në planin dhe objektivat tona strategjike për avancimin e digjtalizimit, përmirësimin e infrastrukturës së tregut, rritjen e qasjes në financa dhe promovimin e edukimit financiar. Ne si BQK jemi mirënjohës për mbështetjen e ofruar nga IFC-ja dhe besojmë se ky bashkëpunim do të jetë i dobishëm në avancimin e ekosistemit tonë financiar digjital që nxit inovacionin duke siguruar standarde të qëndrueshme rregullatore", citohet guvernatori Ismaili, pas nënshkrimit të kësaj Marrëveshje.

BQK-ja është institucioni i parë që përfiton nga ky projekt, që ka filluar në mars të vitit 2024. Qëllimi i projektit është të rrisë pjesën e transaksioneve pa para të gatshme (cashless) në raport me vlerën totale të transaksioneve dhe të lehtësojë financimin për të gjithë rajonin në vlerë prej 45 milionë dollarësh.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar që të avancoj infrastrukturën e tregut me qëllim të përmbushjes së standardeve evropiane, duke nxitur zhvillime të rëndësishme në financat digjitale për të mirën e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe duke hapur rrugën për integrimin e ardhshëm në tregun financiar evropian.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat