Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka ka kritikuar ashpër Qeverinë e Republikës së Kosovës për veprimet e saj të pakoordinuara dhe të njëanshme jo vetëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me aleatët tjerë perëndimor, përfshirë edhe shtetet anëtare të BE-së, duke theksuar se po dëmtojnë reputacionin ndërkombëtar të vendit. Ai derisa ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të koordinojë veprimet e saj me aleatët, thotë se secili veprim tjetër qon në masa ndëshkimore.
Zeka shprehu shqetësim për situatën në veri të Kosovës, duke theksuar se tensionet dhe problemet në këtë rajon po dëmtojnë më tej imazhin e vendit dhe po e bëjnë më të vështirë tërheqjen e investimeve të huaja.
Në një intervistë për KosovaPress, Zeka theksoi se cilësia e marrëdhënieve ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe aleatëve ndërkombëtarë, përfshirë ShBA-në dhe BE-në, është në rënie të thellë.
“Vetëm mund ta përsëris atë që është thënë shpeshherë nga ana e përfaqësueseve të Qeverisë së ShBA-ve, Departamentit Amerikan të Shtetit, por edhe përfaqësuesve të ShBA-ve në Kosovë, se cilësia e raporteve ndërmjet Qeverisë Amerikane me Qeverinë e Republikës së Kosovës nuk është e mirë, kjo falë veprimeve të njëanshme, të pakoordinuara të Qeverisë së Republikës së Kosovës, jo vetëm me ShBA-të si aleati më i rëndësishëm që vendi ynë ka, por edhe me aleatet e tjerë perëndimor, përfshirë edhe shtetet anëtare të BE-së. Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i ka bërë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që t’i kthehet tryezës së diskutimit dhe koordinimit të veprimeve të saj me shtetet aleate, meqenëse roli i tyre ka qenë i jashtëzakonshëm në disa faza të rëndësishme të shtetndërtimit të Kosovës, edhe në periudhën e para shpalljes së pavarësisë, por natyrisht shumë më aktive në periudhën pas shpalljes së pavarësie. Secili veprim tjetër natyrisht që qon në masa ndëshkimore siç të tjerët u referohen si sanksione, qoftë nga BE apo edhe nga aleatet tjerë dhe besoj që në vitin 2024 në këtë periudhë kur shteti i Kosovës duhet të fuqizojë më tej subjektivitetin e vet ndërkombëtar, ne nuk e kemi luksin që të ndërmarrim veprime të pakoordinuara të cilat pastaj i minojnë të gjitha përpjekjet e Kosovës për të fuqizuar edhe subjektivitetin ndërkombëtar, edhe për të tërhequr investime të huaja direkte”, deklaron Zeka.
Ndërsa, ai nënvizon se çështjet në veri dhe tensionet tjera atje, po bëjnë që vendi të dëmtohet më tej dhe të humb mundësitë për tërheqjen e investimeve të huaja direkte.
“Çështjet në veri dhe tensionet e vazhdueshme në pjesën veriore të vendit, natyrisht bëjnë që Kosova të dëmtohet më tej në aspektin e reputacionit të vet që ka dhe t’i humbet mundësitë për tërheqjen e investimeve të huaja direkte që është synimi parësor edhe institucioneve qendrore, i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe gjithë neve të tjerëve si akter ose hisedar jo shtetëror, por që kemi një rëndësi dhe një rol për të luajtur në tërheqjen e investimeve të huaja direkte”, thotë Zeka.
Në anën tjetër, Zeka ka komentuar edhe raportin e ‘FDI Intelligence’, siç thotë raporti si tillë është valid duke u ranguar si e dyta në Evropë për sa i përket vëllimit të investimeve të huaja direkte, mirëpo shton se Kosova megjithatë është vendi i dytë më i varfër në kontinentin e Evropë.
“Raporti si i tillë është valid, por ky indikator të cilit zyrtarët e qeverise i janë referuar si një indikatorë suksesi, mund të interpretohet më tej. Ajo çfarë raporti e thotë është që Kosova rangohet e dyta në Evropë për sa i përket vëllimit të investimeve të huaja direkte në raport me bruto produktin vendor. Informatat e tjera që nuk përmenden në këtë arritje po e vë në thojza atë të Kosovës janë që Kosova megjithatë është vendi i dytë më i varfër në kontinentin e Evropës. Vendi më i varfër në kontinentin e Evropës momentalisht është shteti i Ukrainës, i cili siç e dimë ballafaqohet me një luftë e cila mes tjerash ka ndikuar edhe me aspektin e zhvillimit ekonomik, që d.m.th që në rrethana të tjera, po që Ukraina nuk do të ishte e sulmuar në mënyrë të paprovokuar nga ana e Rusisë, nuk do të ballafaqohej me telashet aktuale dhe ekonomike të cilat i ka realisht, Kosova do të ishte shteti më i varfër në kontinentin e Evropës”, shprehet Zeka.
Zeka ka shtuar se në tre vitet e fundit ka pasur rritje të vëllimit të përgjithshm të investimeve të huaja direkte, porse sipas tij, investimet po vazhdojnë të ndodhin në ato që quhen sektori joproduktiv, që nuk ndikojnë në aspektin e gjenerimit të vendeve afatgjate të punës.
Sipas tij, ato nuk janë investime që ndikojnë mëtejmë në rritje të efikasitetit, pasi ndodhin në sektorin e patundshmërisë dhe ndërtimtarisë.
Duke folur për ekonominë e vendit, Zeka thotë se rritja ekonomike pritet të jetë më pak se 4 për qind, për çfarë shton se nuk arrihet që të tërhiqen investime të huaja të korporatave serioze në vend, efekti i të cilave do të ishte multiplikativ në ekonominë tonë.
“Ne kemi tendencë që gjithmonë të bazohemi në parashikimet të cilat i japin organizatat ndërkombëtare dhe institucionet financiare ndërkombëtare, do të jetë pra, më pak se 4 për qind sipas parashikimeve të tyre. Nuk është që në realitet ka ndodhur ndonjë arritje ose zhvillim tjetër që do të ndikonte që kjo rritje të ishte më e madhe se parashikimet që kanë dhënë institucionet financiare ndërkombëtare. Dy prej shtyllave kryesore në të cilat bazohet rritja jonë ekonomike vazhdojnë të jenë konsumi dhe investimet kapitale. Realisht ne nuk arrijmë që të tërheqim investime të huaja të korporatave serioze në vend, efekti i të cilave do të ishte multiplikativ në ekonominë tonë”, thotë Zeka.
Sa i përket raportit të SHBA-ve me Qeverinë e Kosovës, edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë se ‘po përballemi me disa sfida me qeverinë e tanishme të Kosovës, të cilat kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit tonë’.