Ismet Mulaj, ish-ministër i Tregtisë dhe Industrisë, thotë se procesi i privatizimit në Kosovë ka pasur disa sfida që, siç thotë ai, kanë ndikuar në mos tërheqjen e investitorëve të huaj në masën e pritur.
“Së pari, një nga faktorët kryesorë ka qenë mungesa e stabilitetit ligjor dhe politik gjatë periudhës së pasluftës, gjë që ka krijuar pasiguri për investitorët ndërkombëtarë. Për më tepër, problemi me pronësinë e qartë të aseteve dhe çështjet e komplikuara ligjore rreth tyre kanë penguar shumë investitorë të mundshëm. Po ashtu, mungesa e infrastrukturës së zhvilluar dhe tregut të kufizuar kanë qenë pengesa të tjera për investimet e huaja direkte”, shprehet Mulaj.
Nga ana tjetër, sipas tij, fakti që vetëm një numër shumë i vogël i aseteve janë privatizuar nga investitorë nga Amerika, Franca dhe Gjermania tregon për një interes të ulët të këtyre vendeve, ndoshta, siç thotë ish-ministri i Tregtisë, për shkak të konkurrencës nga tregjet e tjera në rajon, ku mundësitë për investime janë më të favorshme dhe më të sigurta.
Ai shprehet se procesi i privatizimit nuk ka qenë gjithmonë transparent dhe shpesh ka qenë subjekt i kritikave për mënyrën se si është menaxhuar, çka ka rritur mosbesimin e investitorëve potencialë. Gjithashtu, politikat e privatizimit, sipas tij, kanë qenë të fokusuara kryesisht në transformimin e pronës shoqërore dhe arritjen e çmimit më të lartë në shitje, duke lënë në plan të dytë planet investuese, krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimin e kapaciteteve prodhuese.
“Prandaj, për të përmirësuar situatën dhe për të tërhequr më shumë investime nga jashtë, Kosova duhet të fokusohet në përmirësimin e kornizës ligjore, rritjen e transparencës dhe zhvillimin e infrastrukturës, duke u bërë kështu një destinacion më tërheqës për investitorët ndërkombëtarë”, pohon Mulaj.