Ekonomisti, Edison Jakurti, deklaroi se Kosova është njëra ndër vendet më të rralla në botë, e cila nuk ka tatim mbi dividendin.
Jakuri në emisionin “Ditari” tha se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë asnjë ndryshim në politikat tatimore.
“Sa i përket pabarazisë ekonomike në përgjithësi nuk kemi pa politika shumë konkrete, të cilat kishin me reduktu pabarazinë ekonomike qoftë në të ardhura qoftë në pasuri, në masë të madhe subvencionimet këto ndihmat që kanë ardhë, kanë qenë një lloj targetimi i varfërisë në afat të shkurtër, jo d.m.th ndonjë ndryshim strukturor, i cili kish me u marrë me rishpërndarje të mirëfilltë”.
“Nuk kemi pa reformë fiskale, Kosova është njëra prej vendeve të rralla në botë që nuk ka tatim mbi dividend. Pra, gjithçka që fitohet prej korporatave në fund pas pagesës së tatimit dhe gjithave, ai fitimi net që mbet, atë munden me shpërnda te aksionarët e kompanive, ai shkon duke mos u paguar asnjë cent tatim në Kosovë”, tha ai.
Tutje, ai theksoi se ndryshime nuk ka pasur as te skemat e tatimit te të ardhurat personale dhe te tatimet e korporatave.
“Skemat e tatimit, të ardhurat personale nuk kemi asnjë reformë, te tatimi i korporatave, po ashtu nuk kemi asnjë ndryshim, te TVSh-ja që është lloji i tatimit, i cili kontribuon më së shumti në buxhetin e shtetin, po ashtu nuk kemi asnjë ndryshim. TVSh-në e paguajnë si ata që kanë punë, si ata që nuk kanë shumë punë”, deklaroi njohësi i rrethanave ekonomike në Kosovë.
Ai tha mosndryshimet në politikat tatimore kanë ndikuar që rrjedhimisht të mos ndryshojnë as pabarazitë ekonomike.
Ndër tjerash, është kumtuar se sipas World of Statistics, Kosova është vendi me i varfër në Evropë pas Ukrainës e cila tash e dy vjet e gjysmë është në luftë me Rusinë.