Gërxhaliu: Vendimi për rritjen e pagës minimale i vonuar, por i qëlluar

Ekonomi

Gërxhaliu: Vendimi për rritjen e pagës minimale i vonuar, por i qëlluar

Më: 29 gusht 2024 Në ora: 08:22
Safet Gërxhaliu

Në lidhje me vendimin për ngritjen e pagës minimale, është deklaruar Ish kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu, i cili ka komentuar këtë vendim duke theksuar se rritjet e pagave shpesh shoqërohen me zgjedhje, qoftë lokale apo qendrore.

Ai e vlerëson rritjen e pagës minimale si të qëlluar në kontekstin social dhe ekonomik të Kosovës, megjithatë e sheh si të vonuar.

“Në rend të parë duhet të kuptohet se gjithmonë rritja e pagës apo ndryshimet në paga janë para lajmëtar të zgjedhjeve qoftë në nivel lokal apo qendror në rend të dytë besoj se një rritje e pagës minimale është e qëlluar duke pasur parasysh faktin se në çfarë aspekti social dhe ekonomik po jetojmë në Kosovë, mirëpo ky vendim është paksa i vonuar”, tha ai.

Sipas tij, ky vendim duhet të kishte ndodhur më herët dhe të ishte më i përshtatshëm ndaj inflacionit dhe krizës që ka kapluar shoqërinë.

Më tutje Gërxhaliu thekson se kërkesat e sindikatave kanë qenë më të larta dhe se mungesa e një dialogu të mirëfilltë publiko-privat është një problem.

Ai e sheh këtë rritje si një hap pozitiv që mund të ndikojë në rritjen e konsumit dhe në efektet sociale dhe ekonomike, por e konsideron si një masë të domosdoshme por jo të mjaftueshme.

“E vërteta tjetër është që ka munguar një dialog i mirëfilltë publiko-privat dhe të dëgjohet edhe zëri i sektorit privat por jemi këtu ku jemi ku definitivisht efektet negative të inflacionit kanë lënë gjurmë  dhe kjo është koha kur duhet të jemi sado pak afër qytetarëve dhe të ndihmojmë në këtë situatë të krijuar nga efektet e rritjes së çmimeve në mënyrë të pakontrolluar nga efektet e  inflacionit të importuar sepse vërtetë nuk mund të jetohet me një pagë minimale sa ka qenë deri më tani”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat