Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka thënë se në bazë të ligjit, i cili pritet të publikohet në gazetën zyrtare, paga minimale është 264 euro dhe e njëjta nuk mund të rritet me vendim të Qeverisë.
Mehmeti ka thënë se vendimi i ekzekutivit që e mori të mërkurën, është një nismë, porse rritja e pagës minimale nga 264 në 350 euro bëhet përmes ligjit.
“Vendimi i Qeverisë për të rritur pagën minimale 350 mund ta quajmë si nismë e Qeverisë për ndryshimin e këtij ligjit i cili, po besoj që nuk është publikuar në gazetën zyrtare dhe më pastaj të rritet paga minimale në 350 euro. Aktualisht, mund të themi që e kemi një ligj i cili ende nuk është publikuar në gazetën zyrtare i cili e përcakton pagën minimale 264 euro. Ky është vendim i Qeverisë dhe kjo qështje duhet të rregullohet me ligj dhe jo me vendim të Qeverisë”, tha Mehmeti.
Madje, ish-guvernatori Mehmeti, theksoi se me rritjen e pagës minimale do të atakohen shumë biznese të vogla dhe mikro, të cilat do të tentojnë t’i rrisin çmimet, sepse nuk mund ta kenë fitimin që e kanë tani.
Prandaj, Mehmeti ka kërkuar subvencionimin e atyre bizneseve nga qeveria derisa të krijojnë bazën që mund ta përballojnë pagën minimale 350 euro, kur ajo të rregullohet me ligj.