BSPK kujton grevën historike, kërkon veprime urgjente nga Qeveria

Ekonomi

BSPK kujton grevën historike, kërkon veprime urgjente nga Qeveria

Më: 3 shtator 2024 Në ora: 11:06
Foto ilustrim

Në përvjetorin e 34-të të Grevës së Madhe të 3 Shtatorit 1990, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka rikujtuar rëndësinë historike të kësaj greve, e cila shënoi një moment kyç në luftën për autonomi dhe të drejta njerëzore në Kosovë.

Greva, e organizuar nga BSPK, përfshiu punëtorë, studentë dhe qytetarë nga të gjitha shtresat e shoqërisë, duke qenë një simbol i rezistencës paqësore kundër regjimit shtypës serb.

Greva e Madhe e 3 Shtatorit 1990 tregoi botës se si duhen mbrojtur të drejtat e punëtorëve dhe se si duhet kundërvënë masave shtypëse në mënyrë paqësore,” thuhet në njoftimin e BSPK-së.

Greva jo vetëm që kërkoi kthimin e autonomisë së Kosovës, por edhe mbrojtjen e institucioneve kulturore dhe arsimore shqiptare.

Në komunikatë, BSPK nënvizon se, pavarësisht se sot Kosova gëzon demokraci dhe pavarësi, mirëqenia ekonomiko-sociale e punëtorëve mbetet e pamjaftueshme.

Përkitazi me këtë, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës thërret Partnerin e vet Social – Qeverinë të nisë dialogun e mirëfilltë social,” thuhet në njoftim.

BSPK kërkon konstituimin e Këshillit Ekonomiko Social dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, duke theksuar nevojën për të dëgjuar zërin e sindikatave në këto procese. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat