Agjencia Kosovare e Privatizimit ka hapur shpalljen publike për qiradhënien e 228 aseteve atraktive që gjenden në pesë rajonet e Kosovës. Ky është një rast i volitshëm për ndërmarrësit e rijnë që të funksionalizojnë kompanitë e tyre në asetet që janë shpallur me qira nga AKP, pasi që ofrohen për shfrytëzim asete mjaft atraktive në të gjitha rajonet e Kosovës.
Në rajonin e Prishtinës ofrohen për qiradhënie 17 asete kryesisht zyra, lokale, depo dhe toka bujqësore. Në rajonin e Pejës ofrohen për qiradhënie 100 asete, prej tyre një numër i madh parcelash dhe pjesa tjetër lokale, depo dhe zyra në komunën e Istogut, Gjakovës, Klinës, Deçanit etj.
Në rajonin e Prizrenit janë përfshirë 72 prona, prej tyre një numër i madh ngastrash kadastrale në zona të përshtatshme si dhe depo dhe objekt. Në rajonin e Gjilanit ofrohen 30 prona në komunën e Kamenicës, Ferizajt, Vitisë, Kaçanikut etj. Në rajonin e Mitrovicës ofrohen 9 prona kryesisht lokale, objekte, toka dhe depo.
Shpallja publike është e hapur që nga dita e sotme (datë 11.09.2024), ndërsa dorëzimi do të bëhet me datë 25.09.2024 prej orës 10:00 – 12:00 në zarf të mbyllur për secilën njësi veç e veç në zyrat rajonale respektive të AKP-së: Prishtinë, Pejë, Prizren, Gjilan dhe Mitrovicë. Hapja e ofertave dhe publikimi i çmimeve bëhet 15 minuta pas dorëzimit, pra duke filluar prej orës 12:15. Ofertat përmes faksit ose postës elektronike nuk do të pranohen.
Periudha e qiradhënies është për 1 vit me mundësi vazhdimi. Gjithashtu parashihet edhe ndërprerja e saj në rast të privatizimit. Për shfrytëzim komercial aplikohet qiraja mujore, kurse për shfrytëzim bujqësor aplikohet qiraja vjetore (sezonale). Ofertat bëhen në mënyrë individuale për secilën njësi veç e veç dhe me zarf të mbyllur (një zarf – një ofertë për një njësi), dorëzohen në Zyrat Rajonale respektive, ashtu siç është e cekur në shpallje.
Në rastet e qiradhënies në vlera mbi 1,000 €uro mujore, para nënshkrimit të kontratës do të kërkohet nga ofertuesi fitues të sjellë garancionin bankar (jo letër zotimi nga banka) apo garancionin e lëshuar nga Kompania e licencuar e Sigurimeve. Garancioni duhet të jetë në lartësinë e vlerës së gjashtë (6) qirave mujore sipas kontratës.
Për dorëzimin e ofertës duhet të përdoret Formulari për Dorëzimin e Ofertës, i cili mund të merret në Zyrat Rajonale respektive siç është theksuar në shpallje, apo të shkarkohet nga ueb-faqja: www.pak-ks.org. Kriteri për përzgjedhjen e ofertuesit fitues të njësive përkatëse do të jetë çmimi i ofertës më të lartë.
Të dhënat e detajuara për pronat lëndë e ofertës mund të merren në Zyrat Rajonale, varësisht për çfarë aseti interesoheni.
Për më shumë informata për secilin aset të ofruar për qiradhënie në këtë shpallje, klikoni në faqen e internetit të AKP-së: www.pak-ks.org ku në rubrikën Shpallje gjinden listat e aseteve që do të lëshohen në shfrytëzim, konkretisht në linkun në vijim: https://www.pak-ks.org/page.aspx?id=1,119