Kosova në Forumin Publik të OBT-së, mundësi për diplomaci ekonomike dhe integrim ekonomik

Ekonomi

Kosova në Forumin Publik të OBT-së, mundësi për diplomaci ekonomike dhe integrim ekonomik

Më: 11 shtator 2024 Në ora: 18:44
Kosova në Forumin Publik të OBT-së

Në Forumin Publik të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), i cili po mbahet me pjesëmarrës nga e gjithë bota, nga Kosova po merr pjesë kryetari i Lidhjes Bizneseve, Besart Dreshaj dhe nënkryetari Hashim Deshishku, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe integrimit ekonomik të Kosovës.

Siç thuhet në një komunikatë, kryetari Dreshaj ka takuar Zv. Drejtoreshën e Përgjithshme të OBT-së, Anella Ellard, të cilën thuhet se e informoi për arritjet e Kosovës në fushën e zhvillimit ekonomik dhe tregtisë.

“Ai shprehu falënderimet për mbështetjen e fuqishme nga ShBA, si në aspektin diplomatik ashtu edhe ekonomik, dhe kërkoi mbështetjen e mëtejshme të ShBA-së dhe të Znj. Ellard në rolin e saj si zv. presidente e OBT-së për të ngritur zërin e Kosovës dhe për të mbështetur anëtarësimin e saj në Organizatën Botërore të Tregtisë”, thuhet në njoftim.

Në kuadër të punimeve të Forumit, delegacioni i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës thotë se po zhvillon takime me përfaqësues të nivelit të lartë të shteteve të ndryshme, ku po diskutohen mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik në fusha të ndryshme ekonomike dhe tregtare.

“Pjesëmarrja e Kosovës në këtë forum nënvizon përpjekjet e vendit për të avancuar pozicionin e tij në skenën ndërkombëtare, me fokus të veçantë në integrimin ekonomik dhe forcimin e marrëdhënieve diplomatike”, u tha në komunikatën e Lidhjes së Bizneseve të Kosovës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat