Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati ka përmendur masat e marra nga Qeveria e Kosovës për të përballuar rritjen e kostos së jetesës dhe inflacionin global.
Sipas tij, këto masa përbëjnë pakon më të madhe mbështetëse në rajon, një fakt i konfirmuar nga institucionet financiare ndërkombëtare.
“Masat që kemi ndërmarrë si qeveri përbëjnë pakon më të madhe mbështetëse në rajon krahasuar me Bruto Prodhimin Vendor, gjë kjo e konfirmuar edhe nga raportet e institucioneve financiare ndërkombëtare”, ka shkruar Murati.
Murati përmendi disa nga masat kyçe, duke përfshirë subvencionimin e faturave të energjisë për mbi 200 mijë familje, rritjen e pagës minimale në 350 euro, subvencionimin e bujqësisë, mbështetjen për pensionistët, studentët dhe fëmijët, si dhe miratimin e Ligjit të Pagave në sektorin publik.
Ai gjithashtu përmendi sfidat e përballura nga qeveria, përfshirë bllokadat nga opozita në miratimin e Ligjit për Çmimet Tavan, që synonte të kufizonte rritjen e çmimeve në treg.
“Nuk ka asnjë qeveri në rajon që ka ndërmarrë kaq shumë masa për mbështetjen e qytetarëve dhe bizneseve për përballjen me inflacionin,” theksoi Murati.