“CEFTA dhe Procesi i Berlinit”-Ekonomistët bëjnë thirrje për pezullim të masës për produktet serbe

Ekonomi

“CEFTA dhe Procesi i Berlinit”-Ekonomistët bëjnë thirrje për pezullim të masës për produktet serbe

Më: 28 shtator 2024 Në ora: 08:45
Foto ilustrim

Njohës të çështjeve ekonomike në vend i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta pezulloj vendimin e saj për ndalimin e produkteve serbe, kjo pas paralajmërimeve të disa vendeve të Bashkimit Evropian që Kosova mund të përjashtohet nga Marrëveshja për Tregti të Lirë (CEFTA) dhe mund të pësoj edhe ndëshkime të tjera, nëse vazhdon të ndaloj importet serbe.

Ata për eo kanë thënë se Qeveria duhet të reflektojë që të shoh mundësinë e heqjes së kësaj mase në mënyrë që të mbetet pjesë e proceseve për të cilat është zotuar, siç është procesi i Berlinit dhe CEFTA.

Profesori universitar, Nazmi Zeqiri, ka thënë se marr parasysh që Kosova është pjesë e CEFTA-së, vendosja e barrierave tregtare, në këtë rast vendosja e kësaj mase nga Kosova, konsiderohet shkelje e marrëveshjes.

Ai ka thënë se përveç paralajmërimeve të përjashtimit nga CEFTA, vendi rrezikohet edhe me përjashtim nga procesi i Berlinit, për këtë ai ka shtuar se qeveria duhet që të veproj mençur dhe të mos përdor politika populiste.

“Kur flasim për paralajmërimet e bërë nga i dërguari i posaçëm Sarrazin duhet të kemi parasysh se Kosova gati dy vite ka hyrë në vitin e dytë, që është nënë sanksione politike, të përkthyera shpesh herë ekonomike, për arsye se janë qindra miliona euro donacione nga vendet Evropiane të cilat nuk implemntohen në Kosovë. Kosova është pjesë e CEFTA-së dhe si anëtare e barabartë, edhe pse përfaqësohet me emrin e UNMIK-ut. Mirëpo si anëtare e barabartë vendosja e barrierave tregtare konsiderohet shkelje e marrëveshjes. Ndoshta pikërisht për këtë arsye edhe Unioni Evropian ka paralajmëruar sanksione shtesë deri tekë përjashtimi i Kosovës nga CEFTA. Por tregimi ekonomik nga ky përjashtim nuk përfundon këtu për arsye se në mënyrë periferike është paralajmëruar edhe përjashtimi i Kosovës nga procesi i Berlinit, që është një dënim shtesë edhe më i madh në një formulë gjashtë minus një, që realisht na dërgon te ai koncepti ndoshta jo i dëshiruar të Ballkani i hapur që do të ishte me pasoja katastrofale për ekonominë e Kosovës. Besoj se qeveria ka marr mësime të mjaftueshme nga masat dhe sanksionet e vendosura nga Unioni Evropian dhe do të veproj mençur duke mos përdorur të themi politika populsite për arsye se politikat poluliste mund të kenë një ndikim elektoral, por neve gjithmonë në aspektin ekonomik po na kushtojnë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se në rast së Kosova përjashtohet nga CEFTA, produktet në vend do të shtrenjtohen me 10 për qind më shumë dhe se do të ketë rënie të investimeve të huaja direkte.

“Mallrat dhe shërbimet që do t’i konsumojnë konsumatorët në Kosovë do të bëhen me të shtrenjta, ky është efekti i drejtpërdrejt. Tani për efektin në ekonomi të jemi të sinqerte CEFTA ishte dhe mbetet një mekanizëm shumë i rëndësishëm para integrues i Kosovës në anëtarësimet e tjera. Prandaj që nga anëtarësimi i Kosovës në CEFTA, bizneset kosovare kanë pasur një tregti jashtëzakonisht të madhe me këto vende, duke gëzuar të drejtën të blejnë mallra, shërbime, lënde të parë, gjysmë produkte, makineri të cilat kanë qenë të përjashtuara nga tarifat doganore 10 për qind. Prandaj nëse Kosova përjashtohet nga CEFTA me automatizëm thuajse produktet kosovare do të bëhen 10 për qind më të shtrenjta. Nëse të njëjtat vijën pikërisht nga këto vendet ku Kosova ishte anëtare. Njëjtë do të ndodh edhe me eksportet tona në këto vende. Për arsye se do të aplikohet tarifa prej 10 për qind. Do të bien edhe investimet e huaja direkte për arsye se investitorët e huaj nuk e shohin Kosovën si një treg prej 1.5 milionëve por e shohin si treg potencial të CEFTA-së. Qeveria duhet që të jetë shumë e kujdesshme kur vendimet politike i përzien me vendime ekonomike, edhe pse janë të ndërlidhura kujdesi duhet të jetë”, ka thënë ai.

Visar Vokrri, nga Instituti Riinvest, është shprehur se Kosova nuk rrezikon daljen nga CEFTA, sipas tij, këto paralajmërime janë të karakterit politikë.

Por ai ka theksuar se Kosova duhet të jetë e kujdesshme që të mos rrezikoj që krijimi i tregu të përbashkët rajonal, pra procesi i Berlinit, të eci pa prezencën e Kosovës.

“Kosova nuk e rrezikon daljen nga Marrëveshjen për Tregti të Lirë, CEFTA, dhe këto dy procese duhet të ndahen, fillimisht CEFTA është një marrëveshje e tregtisë së lirë që është në fuqi që nga viti 2006. Ndërsa procesi i Berlinit ka filluar tash e 10 vite i cili synon që Ballkani Perëndimor t’a fusë një prej objektivave kyçe është që të kenë një treg të përbashkët rajonal brenda Ballkanit Perëndimore. Pra t’a avancoje marrëveshjen për tregti të lirë në një treg të përbashkët rajonal ku përfshihet lëvizja e lirë dhe përveç mallrave shërbimeve edhe kapitalit edhe njerëzve. Lëvizjet e fundit janë kryesisht të karakterit politikë dhe si të tilla duhet parë, Gjithsesi besoj që Kosova duhet të bëjë përpjekje maksimale që të jetë pjesë e proceseve, ngase ne tash e 10 vite jemi pjesë e kësaj iniciative dhe duhet t’a japim kontributin tonë aty. Nuk duhet të rrezikojmë që ky proces të ecë, pra procesi i Berlinit, më konkretisht krijimi i këtij tregu të përbashkët rajonal të eci pa prezencën e Kosovës, ajo është platforma ku ne duhet t’i shprehim pakënaqësitë dhe jo në mënyrë të vetëdijshme të përjashtojmë vetën nga ky proces, dhe besoj që ka ende hapësirë dhe duhet të bëjmë përpjekje maksimale që të jemi pjesë e procesit dhe të adresojmë shqetësimet pakënaqësitë tona në atë platformë”.

“Kosova do të jetë brenda CEFTA dhe nuk ka arsye që të dalë nga CEFTA, këto ndalesa të importeve të mallrave serbe, njësoj siç ishte tarifa 100% dhe këto masa nuk është që ne po i shohim për herë të parë, natyrisht që edhe Kosova ballafaqohet me shumë pengesa të karakterit tregtarë,  gjatë eksporteve të mallrave në vendet e Ballkanit Perëndimor. Pavarësisht që jemi pjesë e CEFTA-së dhe vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e kësaj marrëveshje të tregtisë së lirë, ka barriera të vazhdueshme të tregtarëve të cilët ballafaqohen bizneset nga të gjitha vendet, Kosova ka  pësuar shumë në këtë drejtim”, ka thënë ai.

Vokrri ka thënë se kjo masë duhet të pezullohet për shkak se vendi është pjesë e CEFTA-së dhe një masë e tillë është kundër marrëveshjes.

Por ai ka thënë se për padrejtësitë që u janë bërë bizneseve kosovare gjatë eksporteve të mallrave në Serbi por edhe në vendet e tjera të CEFTA-së, Qeveria duhet ti adresoj këto pakënaqësi në mekanizmat adekuat.

“Kjo masë duhet të pezullohet për shkak se ne jemi pjesë e CEFTA-së dhe një masë e tillë është kundër marrëveshjes, por për padrejtësitë që i’u bëhen bizneseve kosovare gjatë eksporteve të mallrave në Serbi por edhe në vendet e tjera të CEFTA-së  ne duhet ti adresojmë këto pakënaqësi në mekanizmat adekuat dhe në raste që ato nuk funksionojnë atëherë ne mundë të aplikojmë masa reciproke, por jo me përdorë CEFTEN si mekanizëm për me adresuar çështje të tjera të karakterit politik. Importi dhe eksporti i mallrave është duke rrjedhë lirshëm me të gjitha vendet e CEFTA-së natyrisht ne nuk kemi import të mallrave serbe në Kosovë për shkak të masës, dhe besoj që kjo masë do të rishqyrtohet dhe qeveria duhet të reflektojë të shoh mundësinë e heqjes së kësaj mase dhe të mbetet pjesë e proceseve për të cilat ne jemi zotu siç është procesi i Berlinit”, ka thënë ai.

I dërguari gjerman në Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, gjatë kësaj jave ka thënë se Kosova rrezikon qe të përballet me thirrje për përjashtim nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore dhe ndëshkime të tjera, nëse vazhdon të ndalojë importet serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat