Bordi i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, i kryesuar nga kryetari Skender Krasniqi, anëtarët e bordit, Idriz Zejnullahu, Faton Nuredini dhe zyrtari për komunikim me biznese, Kushtrim Ahmeti, janë pritur nga kryesuesi i bordit të Komisionit për Miniera dhe Minerale, Habib Basholli dhe anëtarët e bordit, Nasuf Mjekiqi dhe Bahri Karaça.
Në këtë takim, janë diskutuar problemet me të cilat po përballen tash e një kohë të gjatë, bizneset e sektorit minerar, në këtë rast gurthyesit dhe kompanitë e betonit.
Kryetari i DhTIK-së, Skender Krasniqi, ka thënë se sektori minerar është duke u sfiduar nga një numër i madh i problemeve, të mbledhura që një kohë të gjatë.
Ai ka thënë se ndryshimi i ligjeve Ad-Hoc nga qeveria, janë duke u shkaktuar dëme të mëdha bizneseve.
Kurse, anëtari i bordit Idriz Zejnullahu, ka prezantuar sfidat me të cilat po përballen gurthyesit dhe kompanitë e betonit.
Zejnullahu ka thënë se me ligjin e ri për pronën, janë bërë bllokada të mëdha për zhvillimin e aktiviteteve nga ky sektor.
Ndërsa, anëtari tjetër, Faton Nuredini, ka thënë se shkaku i mosvazhdimit të licencave, shumë kompani janë detyruar ta ndërprenë punën e për pasoj edhe humbjen e punëtorëve të kualifikuar.
Nga ana tjetër, kryesuesi i Bordit të KPMM-së, Habib Basholli, ka theksuar se institucioni që e drejton është i njoftuar me problemet e gurthyesve dhe kompanive të betonit, por bordi është duke punuar me intensitet të shtuar nga ora 8:00 deri në 20:00 për trajtimin sa më të shpejtë të të gjitha aplikacioneve të grumbulluara kohë më parë.
Basholli ka deklaruar se qëllimi i tyre është që të gjitha kompanitë të zhvillojnë punën sipas ligjeve që janë në fuqi, ndërsa ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin e kontakteve dhe bashkëpunimin me DhTIK-në.
Sipas një komunikatë të dhomës, në këtë takim, palët janë pajtuar të shohin mundësitë për realizimin e një takimi mes Dhomës se Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, Zyrës së Kryeministrit, Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj për Ambient dhe Infrastrukturë, Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, me qëllim që të dilet nga bllokada e krijuar për bizneset e sektorit minerar.