Dështimi i ekzekutimit të pagave për sektorin publik, analistët: Një lëshim i papranueshëm

Ekonomi

Dështimi i ekzekutimit të pagave për sektorin publik, analistët: Një lëshim i papranueshëm

Më: 30 shtator 2024 Në ora: 21:32
Foto ilustrim

Ekzekutimi i pagave për zyrtarët publikë dhe skemat sociale për muajin shtator ka dështuar, duke lënë shumë punonjës të sektorit publik dhe përfitues të skemave sociale pa të ardhura për ditën e sotme.

Kjo situatë është kritikuar ashpër nga analisti Ylli Hoxha, i cili e konsideroi lëshim të papranueshëm nga ana e qeverisë.

Hoxha argumentoi në Tv Dukagjini se kjo vonesë është rezultat i përpjekjes së qeverisë për të kryer detyrat me njerëz që janë në pozita të përkohshme si “ushtrues detyre”.

“Kur ti improvizon dhe bën kësi lloj gabimesh, ndodhin probleme të tilla,” u shpreh ai.

Ndërkohë, skadimi i mandatit të ushtruesit të detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të Thesarit ka qenë një nga shkaqet kryesore për këtë mos ekzekutim në afat të pagave.

Sadri Ramabaja, një tjetër analist, e konsideroi këtë situatë si një lëshim institucional të paarsyeshëm, duke shtuar se nuk është hera e parë që ndodhin vonesa të tilla.

Ai kujtoi përvojat e mëparshme ku vonesat në pagesa ishin të zakonshme, por shpresonte se ato ishin pjesë e së kaluarës.

“Është lëshim që nuk duhet të ndodhë dhe nuk është mirë që pagat nuk u janë ekzekutuar në kohë,” përfundoi Ramabaja.

Situata mbetet shqetësuese për shumë zyrtarë dhe përfitues, të cilët varen nga këto pagesa për përmbushjen e nevojave të tyre bazike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat