Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, mori pjesë në Konferencën e 10-të Vjetore "Bankat Qendrore dhe Bankingu Qendror në një botë shumë komplekse: demonstrimi i përkushtimit dhe ruajtja e besueshmërisë", organizuar nga Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut dhe Komiteti Bretton Woods në Shkup.
Në këtë konferencë të nivelit të lartë morën pjesë guvernatorë, udhëheqës dhe përfaqësues të lartë nga Banka Qendrore Evropiane, Autoriteti Bankar Evropian, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, si dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Gjatë takimit u diskutuan tema të rëndësishme për sektorin financiar, si rëndësia e pavarësisë së bankave qendrore, politika monetare, stabiliteti dhe mbikëqyrja financiare, kornizat rregullative sipas standardeve të Bazelit, përfshirja financiare dhe roli i bankave qendrore në adresimin e krizave.
Guvernatori Ismaili gjatë fjalimit në panelin me temë "Mësimet e marra nga krizat e fundit dhe pritjet për të ardhmen", ka folur zhvillimet në sektorin bankar, duke thënë se BQK synon rritjen e qëndrueshmërisë së sistemit financiar që në raste të sidave të mundshme, të sigurohet përballje me pasoja sa më të vogla për ekonominë dhe sektorin financiar.
Ndryshe, në margjinat e kësaj konference, kreu i BQK-së zhvilloi takime me homologë nga bankat qendrore, përfaqësues të lartë të autoriteteve rregullatore të Bashkimit Evropian dhe institucioneve financiare ndërkombëtare.