Një delegacion i lartë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), i kryesuar nga guvernatori, Ahmet Ismaili dhe i përbërë nga anëtarët jo-ekzekutivë të Bordit, Bashkim Nurboja, Nora Latifi dhe Arta Hoxha, mori pjesë në një vizitë zyrtare në Bankën Qendrore të Maltës.
Në takimin hyrës, delegacioni i BQK-së u prit nga u.d. Guvernatori i Bankës Qendrore të Maltës, Alexander Demarco, i shoqëruar nga zëvendësguvernatori Bonello, krye-ekonomisti Grech, shefi i operacioneve Romano dhe anëtari jo-ekzekutiv i Bordit, profesor Bezzina.
Gjatë takimit, guvernatorët e të dy bankave qendrore shkëmbyen informacione rreth zhvillimeve kryesore në sektorin financiar dhe në ekonomi.
Guvernatori Ismaili e informoi Guvernatorin Demarco për zhvillimet në kornizën ligjore dhe atë rregullative, projektet strategjike të BQK-së, si dhe për qëndrueshmërinë e sistemit financiar të Kosovës.
“Të dy delegacionet diskutuan kryesisht mbi qeverisjen dhe auditimin, menaxhimin e rrezikut, sistemin e pagesave dhe përgatitjet e duhura për anëtarësim në SEPA, menaxhimin e rezervave ndërkombëtare, parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe kërkimet shkencore, ndër të tjera”, thuhet në njoftim.
Në përfundim të vizitës, palët rikonfirmuan përkushtimin e tyre për bashkëpunim ndërmjet dy institucioneve, ku BQK-ja ka për synim zgjerimin e rrjetit të bankave qendrore partnere si pjesëmarrëse në Eurosistem, menaxhimin e rezervave ndërkombëtare dhe në fusha të tjera të bashkëpunimit.